E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Imuniteti i Neranxit votohet më 23 prill

Neranxi ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza: "Nuk mund të mbaj përgjegjësi thjesht për arsye të lidhjeve familjare që kam me këta persona"


Kuvendi do të votojë të enjten e 23 prillit kërkesën e Prokurorisë për dhënie autorizimi për fillimin e procedimit penal ndaj deputetit Nikollaq Neranxi, i dyshuar si i implikuar në kontrabandë mallrash të ndryshëm.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi mbledhjen e dytë, ku dhe ishte programuar që të zhvillohej një seancë dëgjimore me deputetin, i cili është objekt i kësaj kërkese.

Por, Neranxi, në pamundësi fizike për t'u paraqitur vetë para Këshillit, me anë të kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, ka depozituar një material shkresor, ku dhe paraqiste objeksionet e veta lidhur me të gjitha pretendimet që ka shprehur Prokuroria e Përgjithshme.

Në materialin e vet, deputeti Neranxi hedh poshtë si të pavërteta të gjitha konstatimet që ka bërë organi i akuzës në kërkesën që i ka paraqitur Kuvendit, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me shoqëritë "Xhoni-02" dhe "N&N", të cilat akuzohen se kanë kryer veprën penale të kontrabandës.

"Për sa u përket kamionëve më të cilët është transportuar malli i padeklaruar, ato kanë qenë në pronësi të të ndjerit Mihal Neranxi, shoqërive "Xhoni-2" dhe "N&N", të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Nikollaq Neranxin, i cili nuk ka kuota në këto shoqëri, nuk është dhe nuk ka qenë administrator ose në ndonjë organ tjetër të ndonjërës prej këtyre shoqërive.

Nikollaq Neranxi nuk mund të mbajë përgjegjësi thjesht për arsye të lidhjeve familjare që ka me këta persona ose me administratorët apo ortakët e personave juridikë të mësipërm", - thuhet ndër të tjera në këtë material informues, të paraqitur nga deputeti, Nikollaq Neranxi.

Ndërkohë, pasi ka administruar pretendimet e Neranxit, Këshilli i Imuniteteve ka vendosur të procedojë për më tej, duke programuar që të enjten e ardhshme të mblidhet përsëri për të miratuar raportin që do t'i paraqitet për votim seancës, së bashku me kërkesën për heqjen e imunitetit. Gjithashtu, dje u vendos që séanca në fjalë të mbahet të enjten e datës 23 prill.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›