E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja: Nuk jemi në konflikt interesi

Gjykata Kushtetuese rrëzon për të dytën herë Kuvendin dhe qeverinë për "dosjet"

Ligji i Dosjeve,


Gjykata Kushtetuese "rrëzon" për të dytën herë radhazi Kuvendin dhe qeverinë, për ligjin e shumëdiskutuar të pastërtisë së figurës, i njohur ndryshe si ligji i dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

Pasi e pezulloi zbatimin e tij gati dy muaj më parë, dje kjo gjykatë ka hedhur poshtë si të pabazuara, dy kërkesat e shumicës qeverisëse, së pari që trupi gjykues të heqë dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje, për shkak të konfliktit të interesit dhe, së dyti, heqjen e masës së pezullimit të zbatimit të ligjit.


Seanca


Gjykata Kushtetuese ka nisur dje shqyrtimin si një çështje e vetme, të tre kërkesave të ardhura nga një grup deputetësh opozitar, Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) dhe Shoqata e Prokurorëve, për të shpallur si antikushtetues ligjin "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve vendorë".

Faktikisht, është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese hap procesin e shqyrtimit të kërkesave të sipërpërmendura, pasi në seancën e datës 16.02.2009, kjo gjykatë vendosi "Pezullimin e ligjit deri në dhënien e vendimit përfundimtar të GJK-së", sipas kërkesës së tre subjekteve kërkues.

Subjektet e mësipërm, në kërkesën e tyre kanë pretenduar, gjithashtu, se një pjesë e mirë e dispozitave të ligjit bien ndesh me një sërë parimesh kushtetuese që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, të drejtën e punës, për të mbrojtur nderin njerëzor, pafajësisë së prezumuar, për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t'u zgjedhur, apo edhe se ligji në fjalë bie ndesh me ligje të veçanta, të cilët janë miratuar me shumicë të cilësuar votash.

Që në hapje të seancës, trupi gjykues është njohur nga sekretaria me një letër të kryetares së grupit parlamentar socialistë, Valentina Leskaj, e cila i kërkonte kësaj gjykate shtyrjen e gjykimit për një seancë tjetër, me argumentin se përfaqësuesit e tyre ligjorë nuk gjendeshin në Shqipëri.

KSHH-ja dhe Shoqata e Prokurorëve e lanë në çmim të Gjykatës Kushtetuese shtyrjen ose jo të kësaj seance.

Ndërsa përfaqësuesi juridik i Kuvendi, Lulëzim Lelçaj, kërkoi paraprakisht nga trupi gjykues, që të shprehej nëse ajo, pra Gjykata, kishte apo jo konflikt interesi teksa shqyrtonte këtë çështje dhe, së dyti, të hiqte masën e pezullimit të ligjit.

Por, kërkesat e dy subjekteve të interesuara, u kundërshtuan nga dy subjektet e tjera paditëse, pra nga Shoqata e Prokurorëve dhe KSHH-ja, duke argumentuar se edhe në raste të tjera, kjo gjykatë ka shqyrtuar çështje të tilla, që e preknin dhe atë vetë, siç ishte rasti i ligjit për pagat e zyrtarëve të lartë, dhe se Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.


Vendimi


Pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve të pranishme, kolegji i Gjykatës Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendim mbi tre kërkesat e paraqitura në seancë, duke vendosur fillimisht që të pranojë, megjithëse të paargumentuar ligjërisht, kërkesën e grupit parlamentar socialist për shtyrjen e seancës gjyqësore për shqyrtimin e këtyre kërkesave, për më 7 maj 2009, duke çmuar se prezenca e përfaqësuesve të grupit të deputetëve në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ishte e nevojshme.

Ndërkohë, kjo gjykatë ka vendosur që të rrëzojë pretendimet e Kuvendit, me argumentet se Gjykata Kushtetuese ka misionin të garantojë dhe respektojë Kushtetutën (Neni 124 i Kushtetutës) dhe se është institucioni i vetëm kushtetues, në radhën e institucioneve kushtetuese, që vendos për pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën (Neni 131/a), si dhe Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe jo një ligji tjetër, cilido qoftë ai.

"Gjykata Kushtetuese është një organ kushtetues që garanton Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ kushtetues në sistemin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që ka kompetencë të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën.

Asnjë organ tjetër nuk mund të zëvendësojë Kushtetuesen nën realizimin e kësaj detyre kushtetuese. Të gjithë këto argumente, bëjnë që në këtë rast, ta konsideroj të pabazuar kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi i Kuvendit" - u shpreh Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, duke e shpallur seancën e djeshme të mbyllur.

Ndërkohë, ligji i dosjeve është dërguar nga Gjykata Kushtetuese në Komisionin e Venecias, për dhënie mendimi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›