Shqipëria u "jep" maqedonasve fshatin Liqenas
Në Kuvend ka mbërritur propozimi i mazhorancës për ndryshimin e emrit të fshatit minoritar, Liqenas, në Pustec
Fshati e mori emrin Liqenas në vitin 1970, me dekret të Haxhi Lleshit, si lëvizje kundër ndikimeve të huaja
Natyra e sistemit të ri zgjedhor, ka detyruar mazhorancën që, në këtë prag fushate elektorale, të luftojë fort në çdo front për të siguruar çdo votë të mundshme.
Ajo po kërkon të marrë jo vetëm votat e shqiptarëve, por edhe ato të minoriteteve në Juglindje të vendit, zonë që banohet nga një pakicë maqedonasish.
Ndërkohë që, pak ditë më parë, mazhoranca i ka bërë një ofertë edhe PBDNJ-së, e cila njihet si përfaqësuese e interesave të minoritetit grek në vend, si dhe komunitetit rom dhe egjiptian, të cilëve Kryeministri Berisha u premtoi karta identiteti falas.
Propozimi
Në këtë kuadër, në Kuvend ka mbërritur një propozim i rrallë nga një anëtar i lartë i mazhorancës qeverisëse. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, ka paraqitur në Komisionin e Ligjeve një projektligj, ku kërkon ndryshimin e emrit të fshatit Liqenas në Pustec.
Propozimi për kthimin e emrit në Pustec, nga deputeti i zonës, Spaho, ka ardhur pas një peticioni të bërë nga ky minoritet, i cili kërkon të quajë vendbanimin e tij me emrin e tij të mëparshëm.
Ky peticion është hartuar kohë më parë, por propozimi i kthyer në projektligj është dorëzuar në Kuvend vetëm dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, çka tregon më së miri përpjekjen e shumicës së djathtë për të joshur këtë komunitet maqedonasish, në këtë prag procesi elektoral.
Por, natyrisht, një nismë e tillë, ashtu siç argumentojnë edhe nismëtarët, vjen edhe si një detyrim i shtetit shqiptar për të respektuar të drejtat e pakicave kombëtare në vendin tonë dhe, në rastin konkret, të popullsisë maqedonase që, pas përcaktimit të kufijve zyrtar, mbeti brenda territorit shqiptar, pavarësisht se një gjë e tillë nuk reflektohet në mënyrë reciproke nga shteti maqedonas kundrejt popullsisë shqiptare atje, e cila shpeshherë është ankuar për mosrespektim të marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtave të tyre.
Relacioni
Fshati Liqenas është ngritur në buzë të liqenit te Prespës së Vogël, në qarkun e Korçës, dhe është qendra e komunës, me 3500 banorë, me popullsi maqedonase dhe që mban të njëjtin emër.
Faktikisht, nisma e ndërmarrë nga deputeti Spaho përbën vetëm një hap për ta njohur këtë fshat edhe në mënyrë zyrtare me emrin e tij të mëparshëm Pustec, pasi vetë banorët e zonës, që nga koha e rrëzimit të sistemit komunist, e njohin vetëm me këtë emër.
Ndryshimi i emrit të fshatit është bërë në vitin 1970, me dekret Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe që mban firmën e Haxhi Lleshit. Siç edhe bëhet e ditur në relacionin shoqërues, në atë kohë, në kuadër të luftës kundër ndikimeve të huaja, pushteti i atëhershëm vendosi që të ndryshojë emrin, nga Pustec, në Liqenas.
Ndërkohë që, me ardhjen e pluralizmit dhe me rikthimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të minoriteteve, popullsia e kësaj zone vazhdimisht ka bërë përpjekje për të kthyer toponimet autentike të fshatrave, midis të cilave dhe fshatin më kryesor të kësaj zone, Pustec. Për këtë, banorët kanë nënshkruar një peticion, i cili është nënshkruar edhe nga Këshilli i Komunës.
Duke qenë se ndryshimi i emrit të fshatit qendër komune, bëhet me ligj të veçantë, në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit, "Për pushtetin vendor" dhe atë "Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore", ditët e fundit, propozimi i mësipërm, ka mbërritur për miratim në Kuvend, si projektligj i ardhur me nismën e deputetit të zonës, Edmond Spaho.
Dekreti
Nr. 4689, datë 4.5.1970
Në mbështetje të nenit 7 të ligjit nr. 4352, datë 23.12.1967 "Mbi këshillat popullore";
Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë,
VENDOSI:
VII. Në rrethin e Korçës:
1. Lokalitetet e Bilishtit, Bozhigradit, Pustecit dhe Rrëzës prishen.
2. Krijohet fshati i bashkuar Vishovicë me fshatrat: Kurrillë, Kapshticë, Kuç, Trestenik dhe Vishivicë.
3. Krijohet fshati i bashkuar Bitinckë me fshatrat: Bitinckë, Tren dhe Zagrades.
4. Krijohet fshati i bashkuar Progër me fshatrat Cangonj, Mançurisht dhe Progër.
5. Krijohet fshati i bashkuar Rakickë me fshatrat: Rakickë dhe Shuec.
6. Krijohet fshati i bashkuar Baban me fshatrat Baban, Eçmenik dhe Stropan.
7. Krijohet fshati i bashkuar Verlen me fshatrat:çipan, Grapsh dhe Verlen.
8. Krijohet fshati i bashkuar Hoçisht me fshatrat Gracë dhe Hoçisht.
9. Fshatrat Poloskë dhe Vërnik lidhen me qytetin e Bilishtit.
10. Krijohet fshati i bashkuar Sinicë me fshatrat Arëzë, Dardhë, Nikolicë, Qytezë dhe Sinicë.
11. Krijohet fshati i bashkuar Miras me fshatrat Çetë, Miras dhe Vidohovë.
12. Krijohet fshati i bashkuar Menkulas me fshatrat Braçanaj, Dobranj, Koshnicë, Menkulas dhe Ponçarë.
13. Krijohet fshati i bashkuar Sul me fshatrat Gjyrez, Sul, Shënkollas dhe Ziqisht.
14. Krijohet fshati i bashkuar Liqenas me fshatrat Cerje, Djellas, Liqenas, Lajthizë dhe Zaroshkë.
15. Krijohet fshati i bashkuar Goricë me fshatrat Goricë e Vogël, Goricë e Madhe, Gollombëç dhe Kallamas.
16. Krijohet fshati i bashkuar Vinçan me fshatrat Damjanec, Goskova e Poshtme, Goskova e Sipërme dhe Vinçan.
17. Fshatrat Beras, Zboq dhe Mëmel-Manastirec, shkëputen nga lokaliteti i Gorës dhe krijojnë fshatin e bashkuar Beras.
18. Fshatrat Vranisht, Bradvicë, Gjonomadh, Lavdar i Korçës, Voskop, Polenë dhe Dërsnik, lidhen drejtpërdrejt me rrethin.
Për Presidiumin e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë,
Sekretari: Kryetari:
Bilbil Klosi Haxhi Lleshi