E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, dy ekspertët e PS takim sekret

Komisioni per reformen zgjedhore / Foto arkiv

Luis Tanushi

Ashpërsimi i toneve të ndërkombëtarëve për ngërçin e krijuar me reformën zgjedhore, ka vënë në lëvizje dy aktorët kryesorë. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë  intensifikuar takimet informale për të diskutuar çështjet e lëna pezull. Në mjediset e Kuvendit dje në mesditë janë takuar ekspertët e dy partive kryesore, Bledi Çuci nga e majta dhe Oerd Bylykbashi nga e djathta. Burime nga grupi  punës për reformën zgjedhore bëjnë të ditur se të dy palët janë duke diskutuar rreth çështjeve problematike për të hartuar një draft të përbashkët dhe për ta  diskutuar më pas në tryezën e gjerë për miratim.

Aktualisht, ekspertët po diskutojnë për listat e zgjedhësve dhe për kontrollin e zgjedhësve. Përgatitja e listave mbetet problem kryesor që pon shqetëson përfaqësuesit e PS, edhe pse kanë rënë parimisht dakord me kolegët e tyre demokratë. PS I kërkon mazhorancës rritjen e sigurisë për të shmangur dublikimet e emrave që sipas opozitës ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve të fundit vendore.  Përfaqësuesit e majtë kanë propozuar që në hartimin e listave të zgjedhësve të shënohet në krah edhe numri i identitetit të letër njoftimeve elektronike.

Për sa kohë që janë pajisur me letërnjoftime më shumë se 2 milion shqiptarë, sipas opozitës nuk ka arsye pse të mos shënohet në krah të emrit të zgjedhësit edhe numri i identitetit. Propozuesit shprehen se detajimi i listave do të ndihmonte në kontrollin e saktë dhe do të shmangte dublikimet sepse edhe nëse të gjitha gjeneralitetet do të ishin të njëjta, numri identifikues kurrsesi nuk do të ishte I njëjtë. Në tryezën e diskutimit është shtruar për zgjidhje dhe kontrolli i kartave të identitetit.  Opozita ka kërkuar aplikimin e teknologjisë së re e cila do të mundësojë kontrollin e kartave të identitetit. Pajisjet mendohen të jenë të njëjta me ato që kanë edhe doganat ku realizohet kontrolli I pasaportave dhe i kartave të identitetit. Sipas socialistëve, përdorimi i teknologjisë do të shmangte votimin me letërnjoftime të falsifikuara dhe do të rriste besimin në procesin e votimit.

Tryeza me OSBE

Përfshirja e teknologjive të reja në zgjedhjet që do të zhvillohen në Shqipëri do të jetë temë e diskutimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm dhe OSBE.

Sipas njoftimit të dërguar nga OSBE, ditën e hënë dhe të martë do të zhvillohet një tryezë për temat Teknologjitë e reja në zgjedhje dhe Administrimi i Zgjedhjeve nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Fjalimet përshëndetëse do të mbahen nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth, e ngarkuara me punë e ambasadës britanike, Elizabeth Evans dhe Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Marco Leidekker.

Dy ditë më parë, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wolfart i bëri thirrje klasës politike të bashkëpunojë për reformat. Unë inkurajoj Komisionin Parlamentar dhe çdo anëtar të tij të përdorin sa më mirë kohën e mbetur deri në fund të prillit në mënyrë që të kryejnë një reformë të plotë dhe të një cilësie të lartë. Veprimet e marra në minutën e fundit nuk janë asnjëherë të mira mjaftueshëm dhe kësaj here nuk do të funksiononte!, do të theksonte ambasadori i OSBE-së në intervistën e dhënë për radion Deutche Welle.

Sistemi zgjedhor, PS zbardh propozimin e ri

shimit të sistemit zgjedhor, PS do të kërkojë një ndarje të re të zonave zgjedhore. Bashkëkryetari i grupit të punës për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, thekson se nëse PD nuk do të pranojë ndryshimin e sistemit zgjedhor për korrektim kombëtar, atëherë opozita do të propozojë një ndarje të re të zonave të administrimit zgjedhor. “Për ta bërë më proporcional sistemin duhet të ishte riformatimi i zonave zgjedhore, që në Shqipëri të kishte zona zgjedhore fikse përshembull mund të ishin 10 zona apo 6. 10 zona do të ishin më të pranueshme të ndara me 14 deputetë”, theksoi Gjiknuri.  Deputeti Gjiknuri komenton dhe formulën e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e cila nuk pritet që të ketë një ndryshim drastik.  Bashkë me asistencën e ODIHR-it, dy palët kanë propozuar një formulë mikse për përbërjen e KQZ-së . Sipas kësaj formule, partitë  politike dhe institucionet e pavarura do të kenë mundësi që të propozojnë anëtarët e institucionit që merret me administrimin e zgjedhjeve. “Në kushtet shqiptare të jemi realistë kjo është shumë e vështirë sepse ju e shikoni që pavarësia e institucioneve në këtë vend thjesht ekziston në letër, në realitet është një ëndërr që asnjëherë nuk u realizua. Kemi disa opsione, jemi duke e biseduar me palën tjetër. Ne synojmë të kemi një formë më të balancuar, pra përzgjedhja e atij grupi njerëzish të cilët bëjnë diferencën përsa i përket vendimmarrjes, të jetë më konsensuale, deklaroi Gjiknuri.  Javën e ardhshme, Grupi i punës për reformën zgjedhore pritet që të miratojë 3 kapituj të tjerë pas negociatave midis ekspertëve të dy forcave kryesore.

Mediu: PD dhe PS na përjashtuan nga reforma

 Partitë e vogla akuzojnë sërish Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste se i kanë përjashtuar nga vendimmarrja për reformën zgjedhore. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkoi dje që të mos ndërtohen formula brenda një sistemi zgjedhor, të cilat u heqin mundësinë partive të vogla të përfaqësohen në Parlament me deputetë. “Nëse do të shmanget një konkurrim i drejtë i subjekteve politike. Në qoftë se do të ndërtohen formulat brenda sistemit zgjedhor për ti rrëmbyer deputetët një partie apo një partie tjetër, kjo pa dyshim jo vetëm do të cenojë atë që quhet kuotë, po do të cenojë dhe përfaqësimin e drejtë të votës së qytetarëve shqiptarë dhe të zonjave që mund të vijnë në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Fatmir Mediu. Gjatë takimit, Mediu lajmëroi dhe një nismë të re të forcës që ai drejton e cila në të ardhmen parashikon që të ketë dy kryetarë. Për të rritur rolin e gruas, Mediu u shpreh se do të ndryshojë statusi i PR, në mënyrë që republikanët të përfaqësohen me dy kryetarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›