Peza dhe deputetë të PS-së: Prishja e objektit, akt i shëmtuar politik
Deputeti i PS-së, Dashamir Peza, shprehet se është sulm direkt që i bëhet atij, viktimë e të cilit në këtë rast është ndërtuesi Ilir Mata, kunati i tij. “Kunati im është viktimë e luftës politike ndaj meje. Ndihem i kërcënuar për familjen, për fëmijët e mi, por deklaroj se nuk kam asnjë lloj frike në impenjimin tim politik”, - u shpreh Peza. Ai akuzoi kryeministrin se sulmi ndaj tij është i mirëplanifikuar dhe ka për qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga qëndrimi i PS-së për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ky është plan i qartë dhe i mirëplanifikuar me sulme dhe shpifje personale ndaj meje dhe familjarëve të mi për të dobësuar atë rezistencë që po bën PS për hapjen e kutive. Është për të shpërqendruar vëmendjen nga hapja e kutive dhe për ta zhvendosur në një çështje që e përshkruajnë si luftë kundër mafies”. Peza vazhdon më tej duke u shprehur se ndihet i kërcënuar personalisht dhe për familjen e tij dhe se shumë shpejt kryeministri do të përballet me një padi penale dhe civile që ai, së bashku me avokatët e tij, po e përgatisin.
Por, deputetë socialistë shprehen se ky është një sulm direkt që kryeministri Berisha u bën të gjitha bizneseve që mbështesin opozitën. Nga deputetët socialistë të pranishëm afër pallatit 12-katësh ishin Besnik Baraj, Eduard Shalsi, Valentina Leskaj dhe Shega Ligori. Deputeti Shalsi, pas konfrontimit me policinë, është lejuar të hyjë në ambientet e pallatit.
Ministri Olldashi: “Pezullimi është i përkohshëm, do të vijojë prishja”
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, deklaroi dje se pallati 12-katësh në qendër të Tiranës është ngritur mbi rrugë dhe për këtë shkak Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka urdhëruar shembjen e tij. Por, sipas kreut të MPPTT-së, "Ilir Mata, me rrugën që mori me qira, ndërtoi një pallat kundrejt vetëm 8100 lekëve në vit, kur për të parkuar një automjet në rrugët e Tiranës për një vit duhet të paguash 36 500 lekë". Sipas Olldashit, shkeljet për ndërtimin e këtij objekti janë konstatuar nga ish-drejtori i Policisë Ndërtimore, Mark Nikolli dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë për shqyrtim me kërkesë të banorëve, e cila pezulloi punimet, por që me konsensus nga banorët e zonës u lejua ndërtimi. "Po lirojmë rrugën që është pronë publike dhe që zotëria e ka zënë për një afat pafundësisht", - deklaroi ministri Olldashi. Në këtë drejtim ai u shpreh se ky është rast unik i ndërtimit të një godine 12-katëshe në një rrugë publike, por jo rasti i vetëm i ndërtimeve të paligjshme mbi troje publike. Ministri Olldashi shpjegoi se "INUK ka pezulluar prishjen pasi është përballur me një grup të zgjedhurish, por jo të mandatuarish për të shmangur përplasjet dhe konfliktet, por do të vijojë shembjen e objektit deri në lirimin e rrugës, e nevojshme kjo për banorët e zonës".
9 Dhjetor 2009