Pavarësia e Kosovës, qeveria shqiptare relacion në Hagë
Qeveria shqiptare ka vendosur të mos heshtë kur pritet që Haga të japë një verdikt për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, pas kërkesës që bëri Serbia. Ajo i ka dorëzuar një relacion Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ku i bën të qartë mendimin e saj për këtë çështje. Natyrisht si një vend që ka mbështetur fuqimisht pavarësinë dhe ka bërë lobing për njohjen e saj nga shtetet e tjera, Shqipëria i ka bërë të qartë në këtë relacion Hagës ligjshmërinë e vetëvendosjes së shtetit më të ri të Evropës. Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka zbardhur për TV Klan pjesë të argumentimit zyrtar të diplomacisë shqiptare të parashtruar në relacion.
Ministri Basha shprehet optimist dhe mbi atë se çfarë do të thotë në përfundim Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por në të gjitha rastet vlen të përmendet fakti se konkluzioni është veçse një opinion këshillimor, pa asnjë ndikim ligjor në vendimin për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Relacioni i palës shqiptare, një mbështetëse e fortë e qëndrimit të Prishtinës zyrtare, mbështet ndër të tjera faktin se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm.
Më 8 tetor të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi kërkesën e Serbisë që gjykata të japë një opinion mbi pavarësinë e Kosovës. Dhënia e një opinioni nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi vendimin për shpalljen e pavarësisë u lexua nga disa ekspertë ndërkombëtarë si fitore e diplomacisë serbe. Një fitore që gjithsesi sipas tyre, është vetëm më shumë kohë, për të parashtruar argumentet e saj kundërshtuese të pavarësisë. Por ligjërisht Serbia duket se betejën e ka të humbur që në krye të herës, shtuar këtu dhe qëndrimin e pandryshuar të SHBA apo Britanisë së Madhe se pavarësia është proces i pakthyeshëm. Ndërkaq përfaqësues politikë dhe analistë në Kosovë thonë se pavarësia e vendit është e pakthyeshme, por opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të ushtrojë ndikim në shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e ri. E premtja është caktuar si afat i fundit kur palët duhet të paraqesin deklaratat e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila duhet të japë një opinion lidhur me pavarësinë e Kosovës. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, mendon se kjo çështje është trajtuar seriozisht nga institucionet e vendit, të cilat kanë angazhuar një ekip ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare të drejtuar nga britaniku, Majkëll Ud.