E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli dhe SHBA, vëmendjen tek Greqia ende pa qeveri

BRUKSEL - “Komisioni Europian shpreson dhe pret që qeveria e ardhshme greke do të respektojë angazhimet që ka ndërmarrë, sipas marrëveshjes së kredisë së vendit, e cila kontribuon në një ekonomi të qëndrueshme greke dhe është në interes të popullit grek”, deklaroi një përfaqësues i tij pas zgjedhjeve në Greqi. 

“Komisioni Europian është i gatshëm që të vazhdojë të ndihmojë Greqinë në drejtim të reformave që janë promovuar në kuadër të programit të dytë të rregullimit fiskal”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian, Pia Ahrenkild- Hansen. Reformat ekonomike rënë dakord sipas marrëveshjeve të kredisë të Greqisë nga BE, FMN DHE BQE, janë baza për një ringjallje ekonomike me rritje të qëndrueshme dhe krijimin e vendeve të punës”, tha ajo. 

Pia Ahrenkild- Hansen refuzoi të komentojë mbi vështirësitë e formimit të qeverisë së ardhshme, duke thënë se “u takon partive politike greke të punojnë në frymën e përgjegjësisë për të formuar një qeveri me shumicë të qëndrueshme”. “Ne shpresojmë se shpejt do të formohet qeveria në Greqi”, shtoi z. Ahrenkild. 

UASHINGTON - Ndërkaq qeveria amerikane deklaroi nëpërmjet zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, se mbetet e angazhuar për të vazhduar bashkëpunimin e saj me Greqinë mbi çështjet në rajon dhe në nivel botëror, duke pritur formimin e një qeverie bashkëpunimi, në ditët e ardhshme. 

Zëdhënësi shprehu shpresën që partitë politike në Greqi, të cilat po përpiqen të krijojnë një qeveri bashkëpunimi, t’ja arrijnë këtij qëllimi. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, tha se ka shumë rëndësi stabiliteti në Evropë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›