Mungojnë avokatët, shtyhet procesi për bandën e Cërrikut
Tiranë - Procesi për bandën e Cërrikut është shtyrë sërish dje për mungesë avokatësh. Të gjithë të pandehurit u paraqitën në sallën e gjyqit bashkë me të penduarin dhe prokurorët e çështjes. Edhe ky proces, si disa procese të tjera në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nuk po zhvillohet normalisht po për shkak të mbrojtësve ligjore të të pandehurve. Banda e Cërrikut është sjellë për gjykim në këtë gjykatë prej disa muajsh, por nuk janë zhvilluar shumë seanca gjyqësore. Aktualisht procesi është në fazën e deklarimeve nga të pandehurit. Ngjarja për të cilën ata akuzohen nga prokuroria është një nga masakrat e vitit 1997, në qytetin e Cërrikut.
Kontrabanda, 16 koli cigaresh po hynin me mushka nga Mali i Zi
Shkodër- Policia Kufitare e Shkodrës, në bashkëpunim me forcat e policisë, ka bërë të mundur kapjen e 16 kolive me cigare të markës “VIVA Slims”, të cilat po hynin kontrabandë nga territori i Malit të Zi drejt territorit shqiptar. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, këto cigare po transportoheshin me dy mushka në afërsi të kufirit shtetëror mes dy vendeve, në fshatin Brigje të Malësisë së Madhe. Policia ka kryer shoqërimin e dy personave të dyshuar si autorë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, emrat e të cilëve, për arsye hetimi, nuk mund të bëhen të ditur si dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale malli i cili po transportohej kontrabandë.
Tapizë, çahet diga e liqenit, në rrezik 60 banesa të fshatit
KRUJË - Rreth 60 shtëpi në fshatin Tapizë në Krujë kërcënohen me përmbytje nga liqeni për shkak se diga e tij ka pësuar një çarje vertikale si pasojë e rrjedhjes së ujit. Sasia e madhe e ujit e grumbulluar në liqen mund të shkaktojë çarje më të thellë, duke rrezikuar jo vetëm tokat e mbjella aty pranë, por edhe shtëpitë e fshatit. Liqeni është ndërtuar në vitin 1960 dhe gjatë këtyre viteve ka pësuar here pas here dëmtime. Pavarësisht ndërhyrjeve për t’i riparuar, punimet kanë rezultuar jo cilësore duke shkaktuar gjithnjë probleme. Çarja e mëtejshme e digës mund të sjellë shkarkimin e një sasie prej rreth 800 metrash kub ujë, mjaftueshëm për të përmbytur 60 banesat. Banorët në panik kanë kërkuar ndihmë nga autoritet, por deri tani nuk është marrë asnjë masë.
27 Maj 2009