Brukseli i dorëzon sot qeverisë shqiptare pyetësorin
TIRANË - Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian pritet t'i dorëzojë ditën e mërkurë kryeministrit Sali Berisha pyetësorin mbi bazën e të cilit Komisioni Europian do të përgatisë opinionin e tij mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Më 16 nëntor, Këshilli i Ministrave të BE-së pranoi kërkesën e Shqipërisë, e cila ishte dorëzuar që në fund të muajit prill, gjatë kohës së presidencës çeke të BE-së. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar prej kohësh se ata kanë kryer të gjitha përgatitjet për të nisur menjëherë nga puna me pyetësorin. Janë mbi 2 mijë pyetje të përfshira në dokumentin përmes të cilit autoriteteve shqiptare do t’u kërkohet shpjegim për ecurinë e vendit në të gjitha fushat dhe përputhshmërinë me kriteret e anëtarësimit. Kjo fazë e procesit zgjat përgjithësisht deri në 18 muaj, por qeveria shqiptare ka deklaruar se shpreson ta përmbyllë brenda një periudhe rekord në mënyrë që të marrë statusin e vendit kandidat brenda vitit të ardhshëm. Ndër kriteret bazë të vlerësimit janë ato politike dhe përfaqësuesit e Brukselit e kanë bërë të qartë se klima aktuale politike në Shqipëri nuk i vjen në ndihmë këtij procesi të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Qeveria shqiptare ka marrë ekspertë nga Kroacia për plotësimin e pyetësorit, i cili përfshin rreth 400 punonjës të administratës shqiptare në të gjitha nivelet. Pak kohë më parë, zoti Berisha emëroi zëvendëskryeministrin Ilir Meta drejtues të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Teknikisht, ky proces koordinohet nga Ministria e Integrimit që drejtohet nga Majlinda Bregu. Kjo fazë e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian përkon me krizën politike në vend. Në mënyrë të vazhdueshme krerët e institucioneve në Bruksel i kanë bërë apel politikës shqiptare që të gjejë rrugën për të zgjidhur mosmarrëveshjet si dhe kanë kërkuar nga opozita që të shkojë në Parlament për të përfaqësuar interesat e zgjedhësve të saj.
16 Dhjetor 2009