Prodhimi i pullave fiskale, dhënia e koncesionit do te votohet nga Kuvendi
Ervin KOÇI
Prodhimi i pullave fiskale dhe i atyre te akcizës do të bëhen të gjitha me tendera që më parë do të votohen në Kuvend. Ky ka qenë një vendim i marrë nga qeveria shqiptare e cila në mbledhjen e fundit të saj miratoi një ndryshim në ligjin "Për akcizat" dhe sanksionoi që kontrata e pritshme për dhënien me koncesion të prodhimit, shpërndarjes dhe kontrollit të pullave të akcizës, të miratohet në Parlament. "Në rastet kur Këshilli i Ministrave vendos të ofrojë me koncesion pjesë apo të gjithë veprimtarinë, që lidhet me pullat e akcizës, përfshirë dhe kontrollin e tyre, atëherë kontrata koncesionare miratohet nga Kuvendi",- thuhet në propozimin e qeverisë. Vendimmarrja kolektive është kthyer në një mekanizëm që përdoret shpesh nga qeveria për të shmangur pasojat e mundshme penale, në rast se del ndonjë problem i tillë. Qeveria mori një propozim të pa kërkuar më herët këtë vit nga një kompani e huaj, e cila kërkoi me koncesion prodhimin e pullave fiskale me numër unik dhe të verifikueshëm pas hedhjes në qarkullim të mallit përkatës. Në shtator, qeveria e pranoi propozimin dhe i dha kompanisë "Sicpa Security Solutions", një bonus prej 5 përqindësh të pikëve të mundshme në një tender që do të zhvillohet së shpejti.
Tenderi
Në fillim të dhjetorit, njoftimi për tender u publikua. Pullat e akcizës përdoren në Shqipëri për të verifikuar me lehtësi nëse një paketë cigaresh apo një shishe vere ka paguar akcizën apo është mall kontrabandë. Pullat fiskale që përdoren aktualisht kushtojnë pesë lekë dhe dallohen nga rripi metalik që ndryshon ngjyrë në varësi të këndit të dritës. Kompania koncesion-marrëse premton të krijojë një sistem më modern në prodhimin e pullave, por ky sistem ka gjasa se do të kushtojë më shumë se sa ai ekzistues, gjë që pritet të transferohet në çmimet e këtyre mallrave në treg. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se çfarë problemi kanë pullat ekzistuese dhe për çfarë arsyeje duhet të zëvendësohet sistemi me një më të shtrenjtë.
Ankesat
Disa kompani të importimit të duhanit kanë kritikuar qeverinë për "mungesë transparence" në koncesionin për prodhimin e pullave fiskale dhe i kanë sugjeruar asaj përmes Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë (AMCHAM) të hyjë në konsulta për të gjetur një zgjidhje më të mirë për këtë çështje. "Përfaqësues të industrisë së duhanit kanë ngritur problemin e pullës së akcizës, e cila, për shkak të shtypjes në kushte më të larta sigurie, u rrit atyre koston", thuhet në buletinin e fundit zyrtar të AMCHAM. Qeveria nuk ka reaguar ndaj kësaj ankese. Ndërsa shtypja e teksteve të paralajmërimeve të detyruara shëndetësore mbi pullat fiskale dhe pullat e çmimeve të paketave është e ndaluar.
Spahiu: “Politika mban peng Gjykatën Administrative”
Komiteti i biznesit, USAID dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëjnë apel për ngritjen sa më shpejt të Gjykatës Administrative, projektligji i së cilës ka mbetur peng i krizës politike në vend. Në një tryezë të përbashkët, ku morën pjesë përfaqësues të komitetit të biznesit, USAID-it dhe KLD-së të mbajtur dje, u diskutua nevoja e ngritjes së kësaj gjykate si domosdoshmëri për marrëdhëniet biznes-shtet, rritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit. “Gjykata Administrative është e rëndësishme për marrëdhëniet biznes-shtet - deklaroi Richard Wolfe përfaqësuesi i USAID-it në këtë tryezë – duke bërë apel për vendosjen në funksion sa më parë të kësaj gjykate”. Ndërsa nënkryetari i KLD-së , Kreshnik Spahiu, ka bërë apel për gjetjen e një dialogu mes dy forcave kryesore politike të cilat do ti hapnin rrugë reformës në sistemin gjyqësor dhe miratimit të projektligjit të Gjykatës Administrative. “Rrugëdalja i takon politikës, e cila duhet të gjejë dialogun. Mungesa e dialogut bën të mundur që Gjykata Administrative të mos ngrihet në kohën e duhur. Mungesa e dialogut mban peng reformat në gjyqësor.”- deklaroi Spahiu. Numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nënvizon domosdoshmërinë e ngritjes së kësaj gjykate, e cila “do të garantojë barazinë e palëve në proces ashtu siç bën të mundur ezaurimin e një nga shqetësimeve kryesore në KLD-ë, zgjidhjen e vonesave në shqyrtimin e këtyre mosmarrëveshjeve”- tha Spahiu. “Qytetarë, biznesi shteti nuk mund të vazhdojnë të rijnë pas dyerve të gjykatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative me muaj të tërë. Ngritja e gjykatave padyshim që zgjedh përfundimisht këtë problem”- theksoi më tej Spahiu.
Kriza greke, ndikime edhe në Shqipëri
Kriza financiare greke pritet të ketë ndikime edhe në Shqipëri dhe në vendet e tjera fqinje. Pas publikimit të borxhit publik prej 300 miliardë euro në Greqi, më i larti në historinë e shtetit gjatë kësaj periudhe, kanë nisur analizat për efektet e brendshme dhe të jashtme të tij. Sipas analistëve, problemet financiare që ka Greqia, përveç ndikimit të brendshëm, do të kenë ndikime edhe në investimet e këtij vendi në Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri. Investimet greke në Bullgari për gjysmën e parë të vitit 2009 arritën në 69.6 milionë euro. Greqia është burimi i tretë më i madh i investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Bullgari që nga viti 1996, pas Austrisë dhe Holandës. Të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe me vendet e tjera të rajonit. Vetëm në Shqipëri përllogariten në rreth 1.5 miliardë euro investimet e kompanive greke. Po ashtu, edhe ndihma e qeverisë së Athinës për Shqipërinë ka qenë deri më tani në masë të konsiderueshme. Po ashtu, shumë prej bankave të vendit fqinjë, përfshirë edhe Bankën Kombëtare Greke, NBG operojnë në vendin tonë dhe thellimi i krizës do të jetë ndikime të konsiderueshme në mënyrën e
funksionimit të bankave bija. I vetëdijshëm se masa të tilla drastike, në mënyrë të pashmangshme do të shkaktojnë kritika brenda vendit, kryeministri Jorgo Papandreu ka bërë thirrje për unitet kombëtar, ndërsa ai u zotua për të reduktuar deficitin e Greqisë për financat publike në zonën e euros, gjatë mandatit të tij 4-vjeçar në tre për qind. Aktualisht, deficiti buxhetor në Greqi ka arritur në 12 për qind, më i larti në vendet e zonës së euros. Ai ka tejkaluar çdo kufi të përcaktuar nga institucionet e Brukselit.
Inflacioni këtë vit më i ulët se viti i kaluar
Gjatë muajit tetor të këtij viti është shënuar ngritje e përgjithshme e çmimeve për 1.1 për qind krahasuar me muajin shtator në Kosovë. Sipas zyrtarëve të Entit të Statistikave në Kosovë, këtë ngritje e ka shkaktuar shtrenjtimi, respektivisht kalimi në tarifat dimërore të energjisë, dhe ngritja e çmimit të lëndëve djegëse. Inflacioni sivjet do të jetë më i ulët krahasuar me vitin e kaluar, kur arriti në rreth 10 për qind.
16 Dhjetor 2009