Dietat për deputetët sipas qyteteve ku do të lëvizin
Laureta Rryçi
Ligji për heqjen e makinave zyrtare deputetëve, por edhe një pjese të konsiderueshme të funksionarëve të lartë shtetërorë do të nisë efektet e tij pas 15 ditësh. Ky ligj, që mori edhe firmën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare më të fundit dhe shumë shpejt pritet të nisë zbatimi i tij. Sipas ligjit në fjalë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe funksionarët e lartë shtetërorë nuk do të përdorin më makina me targa zyrtare në funksion të shërbimit të tyre profesional dhe personal. Nëse ata do të duan t'i përdorin këto automjete, atëherë duhet që më parë t'i privatizojnë ato kundrejt një pagese të caktuar, që do të vlerësohet nga shteti. Në të kundërt, makinat do të dalin në ankand dhe do të shiten me çmimin më të lartë, që do të paraqitet nga subjekti blerës.
Zyrtarët që do të kenë të drejtën e përdorimit të makinave me targa zyrtare do të jenë Presidenti i Republikës, kryeministri i vendit, kryetarja e Kuvendit, ministrat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtori i Shërbimit Informativ, prokurorja e Përgjithshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës si dhe kryetari i opozitës.
Ligji
Ligji u iniciua nga Këshilli i Ministrave dhe u miratua gjatë këtij muaji në Parlament nga deputetët e maxhorancës me 74 vota pro dhe një kundër. Ky ligj u kontestua nga deputeti i vetëm opozitar, pjesëmarrës në Kuvend, Vangjel Dule, sipas të cilit ai është një ligj abuzues dhe cenon parlamentarizmin. Ligji në fjalë ndahet në dy kategori kryesore. Në kategorinë e parë përfshihen pikërisht funksionarët që do të vazhdojnë të gëzojnë makinat shtetërore, ndërsa në kategorinë e dytë përfshihen të gjitha ata që nuk do të kenë më makina të tilla, por që në këmbim do të përfitojnë një bonus për transport, që për kategori të caktuara, shkon nga 15 mijë lekë në muaj, deri në 45 mijë lekë në muaj.
Pezullimi
Pavarësish kategorive që u përfshinë në fillim për t’iu nënshtruar rregullave të këtij ligji, jo të gjithë do t’i zbatojnë ato. Gjykata Kushtetuese pezulloi pak ditë më parë veprimin e ligjit për "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil", për sistemin gjyqësor. Nëse sipas ligjit të miratuar krerët e gjykatave nuk kishin të drejtë të kishin makina shtetërore, Kushtetuesja e ka hedhur poshtë këtë kufizim, duke i dhënë të drejtë gjyqësorit.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankimimit të paraqitur nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë për pezullimin e zbatimit të dispozitave të ligjit që përcakton transportin e kryetarit dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave të apelit e të shkallës së parë. "Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", duke çmuar se zbatimi i menjëhershëm i dispozitave të ligjit objekt shqyrtimi, mund të sjellë pasoja të pariparueshme për institucionet gjyqësore vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të Nenit 2, pika 1 dhe 2, neneve 3, 4 dhe 6 të Ligjit Nr. 10160, datë 15.10.2009 "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil", derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi", - thuhet në deklaratën e Gjykatës Kushtetuese.
box
Deputetët, pesëfishohen shpenzimet e karburantit
Kuvendi i Shqipërinë miratoi vetëm pak ditë më parë një vendim të veçantë ku ka detajuar shpenzimet e karburantit për 140 deputetët e vendit. Duke u mbështetur te ligji i ri për transportin e zyrtarëve, deputetëve u është caktuar një shumë mujore për shpenzime karburanti. Para këtij ligji, kostoja e karburantit e një deputeti ishte rreth 100 euro në muaj, ndërsa në total shkonte 140 mijë euro në vit. Ligji i ri u hoqi deputetëve makinat zyrtare, por në fakt u ka 5-fishuar shpenzimet e karburantit. Në vendimin e posaçëm janë detajuar shpenzimet e deputetëve sipas qarqeve përkatëse. Në total do të harxhohen mbi 700 milionë lekë të vjetër në vit për karburantin e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, para të cilat deputetët do t’i marrin kesh në dorë në pagat e tyre.
box
Nisma
Nisma për heqjen e makinave të deputetëve u ndërmor disa vite më parë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo kërkoi hartimin e një mënyre të re të trajtimit të deputetëve. Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Sekretariatit për Statusin e Deputetit dhe atij për Buxhetin e Parlamentit, Topalli kërkoi hartimin e një mënyre të re të trajtimit të deputetëve lidhur me transportin e tyre. Ligjet që përcaktojnë statusin e deputetit parashikojnë që ai të pajiset me makinë nga Kuvendi dhe ky i fundit jep mesatarisht 19 mijë lekë në muaj për karburant dhe 15 mijë lekë në muaj për riparime e shërbime që mund t‘i bëhen çdo makine. Vlera në lekë për karburant varet dhe nga zona ku është zgjedhur deputeti.
Trajtimi aktual i deputetëve
139 590 lekë, paga
17 000 lekë, pagesë telefoni
2 000 lekë, për çdo mbledhje komisioni
5 584 lekë, dieta në ditë
Kryetarët e grupeve parlamentare
Paguhen 5-15% mbi pagën e deputetit, në raport me numrin e anëtarëve të grupit. Dy kryetarët e grupeve më të mëdha paguhen 20 000 lekë tarifë celulari në muaj
Pagesat e celularëve
20 000 lekë në muaj kryetarëve të dy grupeve më të mëdha parlamentare
2 000 lekë në muaj kryetarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit
17 000 lekë në muaj deputetëve të tjerë
Makina, 34 000 lekë në muaj
Deputetëve u lejohet mesatarisht deri në 19 000 lekë në muaj karburant
Për riparime dhe shërbime, 15 000 lekë në muaj
Trajtimi i ri financiar për deputetët
16 Dhjetor 2009