E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i demokratëve që mbyt zërat oponentë ndaj lidershipit



e gjithë Shqipëria, askush nuk kërkoi fjalën për të mbajtur një fjalim të papërgatitur më parë. Askush nuk paraqiti një propozim ndryshe për mënyrën e qeverisjes në katër vitet e kaluara, për mënyrën e qeverisjes në të ardhmen apo dhe për të bërë një analizë për ecurinë e procesit zgjedhor dhe mosmbajtjes së premtimeve të bëra nga lidershipi i PD-së gjatë fushatës elektorale për fitore të ngjashme me atë të ‘92-shit. Kuvendi i zhvilloi punimet në bazë të një skenari dhe regjie të programuar kohë më parë, ku gjithçka u rrotullua rreth kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Megjithatë, në përfundim të procesit të numërimit të votave çuditërisht rezultuan se 5 delegatë kishin votuar kundër tij dhe 5 të tjerë kishin abstenuar. Nuk pritej një rezultat i tillë, pasi Kuvendi shkoi në mënyrën më të qetë të mundshme. Askush nga këta 10 delegatë nuk dha një arsye që të mendohej se do të kishte vota kundër Berishës. Madje, para mbajtjes së Kuvendit, shumë anëtarë të Kryesisë së PD-së kishin hedhur propozime të ndryshme për ndryshimet në Statut, po në momentin e miratimit të tij askush prej tyre nuk kundërshtoi duke dhënë argumente kundër. Një ndër anëtarët e Kryesisë Qendrore të PD-së kishte depozituar ditë më parë një projektstatut të guximshëm, por që nuk u mor aspak në konsideratë. I vetmi zë oponent, jo ndaj Berishës kryetar, por ndaj mënyrës së funksionimit dhe organizimit të partisë, u duk i pashpresë në Kuvendin e PD-së. Në bazë të Statutit të ri apo të vjetër, edhe Biberaj, në rast se dëshironte të mbante një fjalim në Kuvend, i duhej të merrte paraprakisht 15% të firmave të 1260 delegatëve të pranishëm në sallë. Kjo dispozitë e Statutit tregon qartë mungesën e hapësirës për të folur lirshëm në strukturën më të lartë vendimmarrëse të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky Kuvend i PD-së, ashtu si dhe të tjerë që ka lënë pas, ndoqi traditën e shtypjes së oponencës dhe e mbështetjes në masën 99.9% të kryetarit Berisha.
19 vite PD
Gjatë 19 viteve të historisë së funksionimit të PD-së nga kjo parti janë flakur jashtë të gjithë personat që kanë ngritur zërin kundër Berishës. Kështu ka ndodhur që në vitet e para të krijimit të PD-së. Në vitin 1992, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u zgjodh president i vendit, por ai nuk hoqi dorë nga kontrolli mbi partinë, megjithëse në krye të saj ishte vendosur formalisht Eduard Selami. Në korrik të vitit 1992 u zhvilluan zgjedhjet lokale që rezultuan të ishin një dështim për PD-në. Rezultati i dobët që kjo parti mori në zgjedhje nxiti zërat “rebelë” brenda saj, të cilët kërkonin të bënin analizë dhe të nxirrnin përgjegjësit. Në këtë situatën ngritën zërin një grup intelektualësh, themelues të PD-së që njiheshin si kritikë ndaj Berishës. Të tillë ishin: Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Perikli Teta dhe figura të tjera të rëndësishme të PD-së. Në gusht të vitit 1992 ata botuan një dokument ku kërkonin që të zhvillohej një analizë në mënyrë që të nxirreshin përgjegjësit e humbjes së PD-së në zgjedhje. Por, në muajin shtator, Berisha organizoi një konferencë të jashtëzakonshme dhe në vend që të bënte analizën e kërkuar, përjashtoi të gjithë kundërshtarët, që në fakt ishin bashkëthemelues të PD-së. Ky është shënuar si përjashtimi i parë i bujshëm në Partinë Demokratike, por që në 19 vite është pasuar dhe nga të tjerë.
Kështu, në vitet 1993-1994, brenda PD-së po formoheshin fraksione që rritnin frymën kritike ndaj mënyrës autoritare të udhëheqjes nga Berisha. Në këtë grupim bënin pjesë individë të tillë si Petrit Kalakula, që në atë kohë drejtonte degën e PD-së së Tiranës dhe Abdi Baleta. Por, që të dyja këto figura të PD-së patën të njëjtin fat me grupin e Imamit. Kalakula dhe Baleta u përjashtuan nga PD-ja, duke shënuar përjashtimin e radhës dhe dështimin e përpjekjeve për të krijuar fraksione të mendimit ndryshe në PD.
Në nëntor të vitit 1994 rrëzohet Kushtetuta e propozuar nga qeveria e PD-së dhe Berisha gjendet pa asnjë tezë politike për të shpërndarë përgjegjësinë. Por, në këtë periudhë, kryetari i asaj kohe i PD-së, Eduard Selami, nis një tur në të gjithë vendin, gjatë të cilit hedh kritika ndaj Berishës dhe kërkon njehsimin e postit të kryetarit të PD-së me atë të kryeministrit. Selami gjithashtu propozonte korrigjimin e pjesës problematike të Kushtetutës që mbrohej aq shumë nga Berisha. Por kjo frymë kritike e dënoi Selamin, duke sjellë përjashtimin e tij nga partia në Kuvendin e pranverës së vitit 1995. Madje Selami nuk u lejua as të hynte në mbledhjen që po merrte vendim për shkarkimin e tij. Largimi i Selamit shënon një tjetër përjashtim nga PD-ja.
Zgjedhjet e majit 1996 ishin një shans i humbur për PD-në. Zgjedhjet u kritikuan rëndë dhe u bënë shkak për prishje e marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA-ve. Disa përpjekje diplomatike për të zbutur situatën u refuzuan nga Berisha dhe situata shkoi në ekstrem. Rrotull Berishës mbetën pak zëra autoritarë dhe i vetmi që dukej se përçonte frymën e tij radikale në Perëndim ishte këshilltari i tij, Genc Pollo.
Të gjitha figurat politike ishin larguar prej Berishës dhe ekipi i teknicienëve të PD-së që drejtonin qeverinë, ishin të pazotë për të përballuar krizën politike që po vinte.
Kur kriza shpërtheu me të gjitha elementet e saj në muajin shkurt dhe mars, Berisha u gjend me një sërë ministrash që dhanë dorëheqjen nga posti për t’u distancuar prej tij. Të tillë ishin Genc Ruli, Dashamir Shehi, Dylber Vrioni, Bashkim Kopliku etj., të cilët kërkuan të distancoheshin nga politika e Berishës. Megjithatë, Berisha u rizgjodh president më 3 mars 1997, por vetë, gjashtë ditë më vonë, u detyrua të dorëzonte pushtetin e qeverisë së tij te Bashkim Fino për shkak të përshkallëzimit të protestave dhe destabilizimit të vendit. Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997 ai humbi thellë dhe u detyrua të rikthehej në selinë e PD-së duke dhënë dorëheqjen dhe nga posti i Presidentit të Republikës. Edhe besnikët e tij të fundit, si Tritan Shehu e Genc Pollo, e braktisën dhe bënë zërat më kritikë ndaj tij. Në vitin 1999 Pollo u largua nga Kuvendi ku garonte për postin e kryetarit të PD-së përballë Berishës, duke e akuzuat atë si njeri të korruptuar që kishte marrë para nga firmat piramidale. Pollo, bashkë me Shehun, krijuan PDR-në që i vodhi dhe siglën PD-së.
E gjithë situata brenda PD-së ndryshoi kryekëput në vitin 2005. Në prag të zgjedhjeve parlamentare Berisha propozoi një strukturë të re pranë PD-së, të quajtur Komiteti i Orientimit të Politika. Në të u thirrën të marrin pjesë themelues të PD-së, kritikë ndaj Berishës, dhe figura të reja. E gjithë kjo solli një imazh të ri për partinë dhe ndikoi në fitoren e zgjedhjeve dhe rikthimin në pushtet të Berishës pas 8 viteve në opozitë. Por, gjatë katër viteve të kaluara janë evidentuar zëra të mendimit ndryshe brenda PD-së, që të gjithë aktualisht ose janë përjashtuar nga partia, ose nuk figurojnë më në struktura vendimmarrëse të partisë. Kështu, Berisha përjashtoi nga PD-ja, pas një debati për kushtetutshmërinë e ligjeve të qeverisë, avokat Ngjelën. Ngjela u shpreh kundër një sërë ligjesh që vinin në Kuvend nga qeveria “Berisha”, duke u shprehur se ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Të gjithë bisedën me Berishën, Ngjela e publikoi në media, çka solli përjashtimin e tij nga PD-ja.
Po gjatë katër viteve të kaluara, për shkak të një mosmarrëveshjeje, e cila nuk u bë kurrë e ditur, dha dorëheqjen nga posti i ministrit krahu i djathtë i Berishës, një ndër miqtë e tij të vjetër dhe bashkëthemelues i PD-së, Besnik Mustafaj. Ndërsa gjatë hartimit të listës së deputetëve për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Berisha nuk parashikoi ndonjë zonë favorite për një tjetër bashkëthemelues të PD-së, Preç Zogajn. Madje ai përjashtoi nga listat e deputetëve mbështetësit e presidentit Topi, të cilët Berisha i cilësoi si pakicë bllokuese në Kuvend. Ky përjashtim shënoi dhe fushatën e fundit spastruese në PD. Kuvendi i fundit i PD-së pasqyroi “punën e mirë” të bërë nga Berisha në 19 vite. Ai tani nuk ka më asnjë kundërshtar në parti.

Këshilli Kombëtar, pritet të fitojnë këshilltarët e Berishës

Gjatë ditës së djeshme ka nisur në selinë e PD-së të numërohen votat e delegatëve për anëtarët e Këshillit Kombëtar. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se lista me emrat fitues pritet të bëhet publike shumë shpejt. Por ajo që në ra në sy në listën prej 400 kandidatësh ishin emrat e rinj, shumica e të cilëve janë këshilltarë të kryeministrit Berisha, pas asnjë kontribut në aktivitetin politik të PD-së. Lista e gjatë e kandidatëve fillon me Admir Dragon, këshilltar i kryeministrit, për të vijuar më pas me të tjerë emra këshilltarësh si Adriana Çela, Glori Hysi, Migena Bakalli, Mirela Tabaku, Petraq Milo e Suzana Guxholli. Listën e kandidaturave të këshilltarëve e përmbyll Ylli Asllani, ndër të paktët këshilltarë me kontribut në Partinë Demokratike. Në listën e kandidaturave shihen edhe mjaft emra zv.ministrash, dikur këshilltarë të kryeministrit Berisha, ndërsa nuk kanë fund kandidaturat me funksione drejtorë drejtorish në administratën e shtetit. Në listën e kandidaturave për Këshill Kombëtar janë përfshirë edhe zërat kundër në PD, si Aleksandër Biberaj apo Besnik Mustafaj. Por, në këtë listë mungon emri i Preç Zogajt, i cili në zgjedhjet e 28 qershorit garoi për një tjetër parti, ashtu si edhe emri i ish-ministrit të Shëndetësisë, Maksim Cikuli, aktualisht këshilltar i Presidentit të Republikës. Në këtë listë radhiten formalisht edhe ish-deputetë, përveç Sali Shehut, që kundërshtoi disa projekte të qeverisë dhe që shpeshherë u etiketuan si mbështetës të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në listën e kandidaturave për anëtarë të Këshillit Kombëtar janë përfshirë edhe emrat e ministrave aktualë, deri edhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Në listë janë përfshirë edhe emrat e drejtuesve të ish-Partisë Demokrate të Re, Genc Pollo, Tritan Shehu dhe Eno Bozdo. Listës së kandidaturave i bashkëngjitet edhe emri i këngëtares Çiljeta Xhilaga.

16 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›