E Diel, 1 Nëntor 2026

integrimin e vendit në BE”



Eljona Ballhysa
Diplomatët e huaj në Tiranë e shohin situatën politike në Shqipëri të pashpresë përsa u përket proceseve integruese të vendit. Dy ambasadorët, ai i OSBE-së, Robert Bosh dhe ambasadori i Holandës, Henk G.C. va den Dool, u shprehën dje për mediat se situata aktuale në Shqipëri është shumë problematike. Ambasadori holandez bëri të ditur se BE-ja aktualisht po harton një raport mbi situatën në Shqipëri që, sipas gjasave, do të jetë problematike dhe që do të sjellë ndikim negativ për proceset integruese të vendit. Ambasadori holandez u bën thirrje të dyja kampeve politike që të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen e situatës. Ai thekson faktin se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe duhet të sillet si e tillë. Në të njëjtën linjë ishte dhe ambasadori i OSBE-së, Bosh. Që të dy ambasadorët ngritën si shqetësim edhe nivelin e lartë të korrupsionit në vend, që sipas tyre, është shtrirë në nivelet e larta qeveritare. Këto deklarata u bënë gjatë një aktiviteti të përbashkët në Bashkinë e Kamzës.
Kriza
“Përsa i përket situatës politike, më duhet të them se duke përfshirë ambasadorin Withers, ambasadorin Bosh, ambasadorin Lohan dhe ambasadorë të tjerë se me fjalë të ndryshme ne kemi të njëjtin shqetësim. Situatën aktuale në Shqipëri e shohim si shumë problematike. Një demokraci që nuk funksionon nuk është një biletë për në Bashkimin Europian. Madje BE-ja do të përgatisë një raport nëse Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit dhe unë do t’ju thosha që ky raport nuk do të jetë pozitiv nëse situata politike vazhdon të jetë në të njëjtat kushte. Dhe një gjë e tillë është shumë e keqe për çdo shqiptar, qoftë demokrat, socialist apo një gjë midis tyre. Si një vend i pjekur, anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE, ne presim që Shqipëria ta zgjidhë vetë këtë ngërç, por, me sa po shohim, koha po mbaron. Të dy kundërshtarët kryesorë duhet të ulen në tavolinë, të flasin me njëri-tjetrin dhe të jeni të sigurt që ne nuk kemi për të bërë asnjë lloj sugjerimi. Ne presim që ata të dalin së shpejti me një zgjidhje që ta kthejnë edhe njëherë këtë demokraci në një demokraci funksionale”, - është shprehur ambasadori I Holandës.
Ndërsa Bosh vuri në dukje faktin se pavarësisht sugjerimeve dhe thirrjeve të herëpashershme të diplomatëve, politika shqiptare nuk ka bërë asnjë ndryshim. “Deri tani nuk shohim shenjë kuptimplotë se apeli ynë për ulje tonesh dhe afrim të jetë dëgjuar. Duhen dy për të kërcyer tangon dhe janë 3 hapat kryesorë që duhen ndjekur si nga opozita, ashtu dhe nga maxhoranca. Hapi i parë, duhet të komunikoni rregullisht me partnerin, përndryshe mund t’i shkelësh këmbën. Pra është koha për dialog më të madh. Hapi i dytë, duhet të dëgjosh me dashamirësi dhe të vësh re të metat e partnerit. Ka ardhur koha e kompromisit. Hapi i tretë, që të vazhdosh të kërcesh gjatë, duhet të flitet me njëri-tjetrin, madje dhe duke pëshpëritur në takime informale. Është koha për të folur me ton më të qetë e me gjuhë më të zbutur. Kompromisi duhet të vijë nga të dyja palët. Ku ka dëshira, ka një rrugëzgjidhje. Tani është momenti që palët të bëjnë një hap drejt njëri-tjetrit”, - tha ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh.
Korrupsioni
Diplomatët më tej vunë theksin në nivelin e lartë të korrupsionit në vend. “Korrupsioni është problem serioz, endemik që varion nga korrupsioni i vogël deri tek ai në nivelet më të larta politike. Situata gjatë viteve të fundit nuk është përmirësuar. Progres-raporti për këtë vit bëri komente negative për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Madje në raportin e Transparency International, Shqipëria ra 10 vende më poshtë. Kjo është një gjë shumë serioze, është një gjë shumë e keqe për Shqipërinë, një gjë shumë e keqe për aspiratat e saj integruese”, - është shprehur ambasadori holandez në Shqipëri.
Deklaratat e ambasadorëve u bënë gjatë prezantimit të një projekti antikorrupsion në Bashkinë e Kamzës. Kreu i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Robert Bosh dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, nënshkruan dje një marrëveshje për fillimin e një projekti kundër korrupsionit. Projekti, i cili synon të forcojë rolin e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit në strukturat dhe sistemet e qeverisjes vendore, bashkëfinancohet nga Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Projekti, që promovon parimet e mirëqeverisjes, do të zbatohet në pesë bashki të vogla në vend: Kamzë, Shijak, Laç, Përmet dhe Çorovodë.

Berisha takon sekretarin e Përgjithshëm të Fondit Egjiptian

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Samah M. Sotouhi, sekretar i Përgjithshëm i Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik. Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë egjiptiane për ndihmën e dhënë qeverisë shqiptare, kryesisht në ofrimin e një numri të madh bursash trajnimi për rreth 2000 specialistë të Administratës Publike. Kryeministri theksoi rëndësinë që qeveria i jep thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi nëpërmjet realizimit të projekteve në fushat prioritare për qeverinë shqiptare ku përmendi bujqësinë dhe Shqipëria dixhitale. Nga ana e tij, zoti Samah M. Sotouhi shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe takimet shumë të frytshme që ka zhvilluar me disa ministra të qeverisë gjatë kësaj vizite dhe i ritheksoi kryeministrit Berisha se qeveria egjiptiane është e gatshme të mbështesë me financime dhe për këtë do të mirëpriste çdo propozim për projekte konkrete që mund të paraqiteshin pranë Fondit Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik. Kryeministri theksoi se është e një rëndësie parësore rritja e numrit të investimeve private dhe bizneseve egjiptiane, si dhe siguroi se qeveria shqiptare ka krijuar një klimë biznesi shumë atraktive dhe të sigurt për investimet e huaja në Shqipëri.

16 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›