Krimet e Rënda shpallin sërish në kërkim Ilir Kumbaron
Laureta Rryçi
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Kumbaron, një prej të akuzuarve kryesorë për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995. Gjatë seancës së radhës, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, i kërkoi kolegjit penal masë të re të sigurisë dhe rikthimin në burg të Ilir Kumbaros.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga avokatja kryesisht e Kumbaros, Valentina Teodoresku. Ndërsa kolegji penal u tërhoq në sallën e vendimeve dhe mori vendimin për të pranuar kërkesën e përfaqësuesit të akuzës. Kërkesa që mori miratimin nga trupi gjykues i Gjykatës së Krimeve të Rënda për rikthimin e masës vjen vetëm pak ditë pasi Ilir Kumbaro u la në gjendje të lirë në Londër, menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Tani pritet fjala e avokatëve që janë shprehur se do ta apelojnë këtë vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Liria
Gjykata e Londrës i dha lirinë Ilir Kumbaros pak ditë më parë, ish-oficer i SHIK-ut. Vendimi erdhi menjëherë pasi Gjykata e Lartë shqiptare vendosi në datën 2 dhjetor të shuajë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të pandehurit Kumbaro, me argumentin se kjo masë e ka humbur efektin e saj për shkak të kalimit të afateve të parashikuara nga ligji. Ilir Kumbaro ndodhej në proces ekstradimi mbi bazën e një kërkese të bërë nga Drejtësia shqiptare, pasi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Hoxha 14 vjet më parë, krim të cilin akuzohet se e ka kryer në bashkëpunim me ish-kolegët e tij. Kumbaro u arrestua disa muaj më parë në Angli për llogari të Prokurorisë shqiptare. Sipas informacioneve rezultoi se ai ruhej dhe përgjohej për një kohë të gjatë deri në finalizimin e aksionit policor. Për të fshirë gjurmët, Kumbaro ka bërë disa herë manovra duke ndryshuar adresë nëpër lagjet e londineze. Kumbaro është një nga të pandehurit e procesit që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha.
Masa e vjetër
Gjykata e Tiranës, më 18 shkurt 2003, vendosi ndaj Ilir Kumbaros masën “arrest me burg” në mungesë, duke e shpallur në kërkim. Ai dyshohej për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “torturës”, kryer në bashkëpunim. Për mungesë provash dhe faktesh, çështja ndaj Ilir Kumbaros u pushua për t’u rihapur ne shtator te 2006 me vendim të prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe Theodhori Sollaku. Më 5 maj të vitit 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” vetëm ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budion Meçe, masë e cila u ndryshua më pas nga Apeli. Për Kumbaron nuk u kërkua vendosja e një mase të re, “kleçkë” e cila është shfrytëzuar mjaft mirë nga avokatët për të bindur Gjykatën e Lartë se masa e marrë në mungesë ndaj klientit të tyre i ka humbur efektet.
Procesi ndaj biznesmenit, dëshmitarët sjellin fakte
Procesi gjyqësor ndaj Kumbaros dhe të pandehurve të tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, ka nisur prej afro dy vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Para Gjykatës kanë dëshmuar mjaft dëshmitarë, të cilët kanë sjellë fakte mjaft të rëndësishme për zbardhjen e çështjes. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 në Tiranë dhe prej atëherë nuk u mësua asgjë rreth fatit të tij. Ai dyshohet të jetë torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Kumbaro dhe të pandehurit e tjerë akuzohen dhe për rrëmbimin e torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, të dy të mbijetuar.
Gjykata rrëzon kërkesën e Aldo Bares për t’u gjykuar i lirë
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, për rivlerësim të masës së sigurisë. Bare, i cilësuar nga organi i akuzës si kapoja i bandës së Lushnjës, i kërkoi në datën 5 dhjetor Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda lirimin e tij nga burgu. Në ankimimin e hartuar, avokati mbrojtës i Bares, Vladimir Meçe, i kërkoi Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të shpallë të pavlefshme masën e sigurisë “arrest me burg” marrë ndaj klientit të tij në mungesë më 26 mars 2006, si dhe verifikimi i kushteve të zbatimit të kësaj mase pas ekstradimit nga Turqia. Sipas avokatit, “gjykata ka vepruar në kundërshtim me ligjin në vendosjen e masës së sigurisë ndaj klientit të tij”. Avokati argumentonte më tej se seanca për vlerësimin e kushteve të zbatimit të masës duhet të shqyrtohej nga një trup gjykues, dhe jo një gjyqtar i vetëm, për aq kohë sa dosja në ngarkim të Aldo Bares ndodhej në gjykim. Sipas tij, Bare mbahet në burg 1 vit e 5 muaj pasi i kanë skaduar afatet e paraburgimit. Por, trupi gjykues nuk mori parasysh kërkesën e avokatit duke arsyetuar se vendimi për masën e arrestit qëndron në bazë të akuzave që rëndojnë mbi të pandehurin. Aldo Bare u arrestua më 25 mars të vitit 2006 në Ankara. Alfred Shkurti, i njohur me nofkën Aldo Bare, konsiderohet nga Drejtësia shqiptare si drejtuesi i bandës kriminale të njohur me emrin e tij. Aldo Bare u arrestua nga Policia turke në Ankara, i maskuar me një pasaportë false maqedonase me emrin Mikel Kodra. Arrestimi i Bares u bë pas një bashkëpunimi me Policinë turke dhe Interpol Ankaranë, si dhe një numër policish të vendeve të tjera partnere. Për 3 vjet Drejtësia shqiptare punoi për ekstradimin e Bares në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, edhe Drejtësia italiane ishte e interesuar për ekstradimin e Bares për shkak të disa veprave penale që dyshohet se shqiptari kishte kryer atje. Bare pretendoi, nëpërmjet avokatit të tij turk, se nuk duhet të ekstradohej në Shqipëri pasi kthimi i tij rrezikohej deri në eliminim fizik. Gjithsesi, pas procedurash të gjata në disa shkallë e procese gjyqësore në Turqi, Drejtësia shqiptare mundi që ta ekstradojë të shumëkërkuarin. Aldo Bare po gjykohej në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasje, vjedhje dhe trafik droge. Pas ekstradimit, gjykimi do të vazhdojë tani me vetë dëshmitë e Aldo Bares. Mbi këtë të fundit rëndojnë akuza për mbi 20 vrasje, krijimin e organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, dhe u ekstradua nga Turqia më 25 nëntor të këtij viti.
Krimet e Rënda lënë në qelinë “hijet e natës”
Gjykata e Krimeve të Rënda riktheu dje në qeli të shtatë të arrestuarit për vjedhjet e bizneseve, të cilët u prangosën gjatë operacionit “Hijet e natës”. Të cilësuar si persona me precedentë penalë të mëparshëm, gjykata ka vendosur për ta të njëjtën masë sigurie që u kërkua dhe nga prokurorët. Kështu, në arrest me burg u lanë Elton Lika, 26 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “vjedhjes”; Sajmir Kuçi, 26 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “vjedhjes me armë”; Sulejman Bakalli, 26 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “vjedhjes me armë”; Taulant Mataj, 28 vjeç, i proceduar më parë për “shpërndarje të lëndëve narkotike”; Euklid Habili, 27 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “vjedhjes”; Dritan Duka, 28 vjeç, i proceduar më parë për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave e letrave me vlerë”; Admir Burri, 31 vjeç, i proceduar më parë për “vjedhjes me armë”. Të gjithë të arrestuarit, të akuzuar si anëtarë të grupit të strukturuar kriminal, janë banues në kryeqytet. Sipas Prokurorisë, ky grup, brenda 8 muajsh, ka kryer pesë grabitje, të cilat e kalojnë vlerën e 650 milionë lekëve, ndërsa dyshohen se janë autorë të grabitjes së ndodhur vetëm 2 ditë më parë të agjencisë së udhëtimeve “Adriatika” në Durrës. Kjo është përmbledhja e operacionit të kryer nga Drejtoria e Policisë së Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. I cilësuar si një nga operacionet më të mëdha të viteve të fundit, është realizuar pas një pune intensive disamujore, me metodat speciale të hetimit.
16 Dhjetor 2009