Haga refuzon kërkesën e Karaxhiçit për zvogëlimin e dënimit
Gjykata e Hagës refuzoi kërkesën e ish-presidentit të Republikës Serbe, Radovan Karaxhiç për zvogëlimin e dënimit dhe për pagesën e dëmit që i kanë shkaktuar pas arrestimit ilegal vitin e kaluar në Serbi. Karaxhiçi është akuzuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit mbi myslimanët dhe kroatët, si dhe për marrjen e pengjeve ndërkombëtarë gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë (1992-95). Në fillim të gushtit, ish-lideri politikan i serbëve boshnajkë kërkoi nga Haga që pas gjykimit t’i zvogëlohet dënimi, ose nëse lirohet, t’i paguhet dëmi me arsyetimin se më 18 korrik të vitit 2008 në Beograd është arrestuar ilegalisht. Këshilli gjyqësor i Tribunalit të Hagës e refuzoi kërkesën e Karaxhiçit duke theksuar se kjo “do të varet nga përfundimi i gjykimit i cili akoma nuk ka filluar”.
Serbi
Parlamenti miraton gjobat kundër medias
Parlamenti serb miratoi një ligj i cili parashikon gjoba të rënda ndaj mediave të cilat shpifin. Ky ligj frikësoi disa grupe, për faktin e autocensurës që mund të prekë tashmë gazetarët, të cilët nuk e kanë marrë ende veten nga shtrëngesat gjatë luftës së viteve '90. Sipas këtij ligji, nëse një gazetë boton shpifje, atëherë gjoba e vënë do të jetë e barabartë me shumën e parave të nxjerra nga shitja e saj përgjatë një jave apo më shumë. Qeveria kërkon të godasë me këtë ligj tabloidet, që zakonisht vënë në shënjestër ministrat e ndryshëm për abuzimet e dyshuara të tyre.
Greqi
Analistët parashikojnë zgjedhje të reja
Në rend të ditës në Greqi janë vendosur skenarët për zgjedhje të parakohshme, që analistët nuk i përjashtojnë të mbahen muajin e ardhshëm. Sondazhet rezultojnë me një avantazh prej më shumë se 6 për qind të partisë më të madhe opozitare, PASOK, ndaj Demokracisë së re në pushtet. Sipas testuesve të opinionit, më këtë avantazh të liderit të PASOK-ut, përballë kryeministrit aktual, ka ndikuar më së shumti pakënaqësia për mangësitë në përballimin e zjarreve të dhjetë ditëve më parë në Atikë. Por arsyeja kryesore ka të bëjë me pasojat e krizës ekonomike.
Pakistan
Gjenden mbi 40 talibanë të vrarë
Zyrtarët thonë se në 24 orët e fundit të paktën 41 trupa të militantëve të dyshuar talibanë janë gjetur në lokacione të ndryshme, në luginën Suat të Pakistanit. Autoritetet thonë se gjashtë trupa ishin me kokë të hequr. Sipas zyrtarëve, militantët janë vrarë nga banorët, të cilët i frikësohen kthimit të talibanëve, por banorët dhe aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se disa mund të jenë ekzekutuar nga forcat e sigurisë. Armata thotë se e ka rimarrë kontrollin nga talibanët në luginën Suat në një ofensivë të madhe ushtarake në fillim të vitit.
Egjipt
Sekuestrohen 2 tonë eksploziv
Policia egjiptiane ka sekuestruar rreth 2 tonë eksploziv në afërsi të kufirit me Rripin e Gazës, e destinuar për militantët palestinezë. Lajmin e ka bërë të ditur një funksionar i njohur i sigurisë egjiptiane. Policia ka zbuluar eksplozivin, e paketuar në 25 qeska plastike, në një vend të fshehtë nëntoke në rajonin kufitar të Sarsurias, në gadishullin e Sinait. “Dërgesa ishte destinuar për në Gaza, por për fat të mirë gjithçka u parandalua në kohë”,- është shprehur funksionari i lartë duke shtuar se asnjë kontrabandist nuk është vënë në pranga.
2 Shtator 2009