Cilët janë bashkëpunëtorët, shoku Majko?
Kishim kohë pa e dëgjuar termin “bashkëpunëtorë të okupatorit dhe nazifashizmit”, të paktën jo zyrtarisht, dhe u desh dje risjellja e një drafti ligjor në Komisionin parlamentar të Ligjeve që ta dëgjonim dhe njëherë nga një deputet i ri në moshë, Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë, disi i harruar kohët e fundit për shkak dhe të mënjanimit që i është bërë brenda partisë së tij. Në rast se nuk do e njihje, s’do e besoje kurrë se Pandeli Majko vjen nga ai brez studentësh, i cili u ngrit për t’i sjellë një demokraci të munguar këtij vendi. Është nga deputetët më të rinj të Kuvendit, por etiketimi që i bëri ai viktimave të komunizmit të pushkatuar pa gjyq ishte vërtet i dhimbshëm. I konsideroi “bashkëpunëtorë të okupatorit”, dhe pak a shumë la të kuptohej se ata nuk meritonin riciklim.
Personalisht vij nga një shtresë e tillë dhe me atë çka tha dje Pandeli Majko nuk di se ku ta vendos veten. Gjyshin tim nga babai e kanë pushkatuar pa gjyq, në një vërtetim të marrë nga arkiva e Ministrisë së Brendshme bëhet fjalë për shtatorin e vitit 1946. Emri i tij ndodhet mes mijëra e mijëra të pushkatuarve të tjerë, që nuk e donin sistemin që solli e ashtuquajtura Luftë Nacionalçlirimtare, një sistem i cili nuk i vinte për shtat as dokeve dhe zakoneve të këtij vendi, por as karakterit të shqiptarit. Por me atë çka tha dje Pandeli Majko, pasardhësit e këtyre të pushkatuarve nuk dinë se ku ta vendosin veten. Pra, në rast se në shtëpitë e tyre kanë ndonjë vendim gjyqi, ku provohet pafajësia e të afërmve të tyre, del Pandeli Majko, që ende i cilëson “pasardhësit e bashkëpunëtorëve të okupatorit”. Me pak fjalë, në mentalitetin e Majkos këta pasardhës mbeten ende “bij tradhtarësh dhe të armikut”. Njësoj siç etiketoheshin në dosjet e Sigurimit të Shtetit dikur. Pra, me pak fjalë, jo vetëm emri i atyre që u vranë, u përbalt dhe vazhdon të përbaltet, por përbaltja në mentalitetin e zotit Majko duhet të vazhdojë brez pas brezi.
Askush nga kjo kastë nuk pret nga Majko që të dalë dhe të dënojë krimet e komunizmit. Në vitin 1997, ky deputet e deklaroi hapur që Partia Komuniste është parti e babait të tij, dhe si e tillë s’duhet të dilte jashtë ligjit. “Aferim” të qoftë zoti Majko! Mbaje partinë e babait, dhe mund të krenohesh me të, askush s’të kundërshton, por mos hidh baltë mbi etërit e të tjerëve. Këtë të drejtë s’ta jep asnjë mandat deputeti.
Zoti Majko duhet ta dijë se periudha komuniste është nga më të dhimbshmet e këtij vendi dhe vetë termi “pushkatim pa gjyq” është një shkelje e hapur që i bëhet të drejtave të njeriut. Atyre njerëzve nuk iu la mundësia të mbroheshin, siç iu la Aranit Çelës apo Nexhmije Hoxhës, që sot enden ende rrugëve të këtij vendi. Nga ana tjetër, zoti Majko duhet të shpjegojë se kë quan bashkëpunëtor. Sepse me termin “armik i klasës” apo “i vënë në shërbim të agjenturave të huaja për të rrëzuar pushtetin popullor” janë dënuar shumë persona! Pra, me logjikën e zotit Majko askush s’duhet të rehabilitohet në këtë vend për atë çka ka hequr gjatë atij regjimi, për faktin e thjeshtë se ka qenë “kundër pushtetit popullor”.
Ata s’kanë qenë bashkëpunëtorë të askujt përveç vendit të tyre dhe kjo demagogji boshe është e tepërt tashmë. Gjuha e xhelatëve nuk shkon më në këtë sistem që jetojmë dhe më mirë se çdokush këtë duhet ta dijë deputeti Majko, i cili mban dhe titullin “Pishtar i Demokracisë”. Ata kanë të drejtë të rehabilitohen më shumë se çdo qytetar tjetër i këtij vendi, ata thjesht kishin kuptuar se komunizmi ishte thjesht një sëmundje, sa e dëmshme, dhe e pamoralshme që po i imponohej këtij vendi dhe ata këtë vend e donin shumë, shumë më tepër se nacionalizmi i shtirur që u përpoqën të injektojnë komunistët.
Ish-të përndjekurit janë klasa më e përvuajtur e këtij vendi, por edhe klasa më krenare e tij. Qeveritë dhe pas tranzicionit, të dyja krahët, vazhduan ta shohin këtë shtresë “si një barrë që ua la sistemi i kaluar”, dhe jo si njerëz me dinjitet që i kanë dhënë shumë këtij vendi. Që me jetët që dhanë, me vitet e burgut që bënë, me ditët në kampet e përqendrimit, me sakrificat që bënë për të mbrojtur idetë e një shoqërie të lirë, shtruan ngadalë dhe me gjak rrugën drejt këtij sistemi që kemi sot. Pra, paguan me gjak edhe të drejtën e zotit Majko për t’i ofenduar. Në rast se zoti Majko do e kuptonte këtë, atëherë duhej të skuqej për ato fraza që lëshon në tempullin e një demokracie, siç është parlamenti.