E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike lëviz bilancin tregtar

Nga Ervin Qafmolla, Revista “MAPO”

Debati mbi krizën ekonomike ka prekur sakaq edhe sektorin e tregtisë, ndonëse, nëse vetë kriza e ka cekur tregtinë, është tashmë lëndë e një debati mes qeverisë dhe të tjerëve. Ndërkaq, shifrat thonë që jo thjesht e ka cekur, por i ka dhënë një goditje të fortë. Të paktën kështu sugjerojnë të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT). Sipas INSTAT, në muajin janar të vitit 2009 u eksportuan 6,642 milionë lekë mallra, me ulje 11.6 për qind në krahasim me muajin janar 2008 dhe ulje me 4.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2008. Gjatë janarit të këtij viti, u importuan 27,796 milionë lekë mallra me ulje 10.5 për qind në krahasim me muajin janar 2008 dhe ulje 35.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2008. Vlen të theksohet se po flasim për një rënie dyshifrore.

Ndërkaq çudia e radhës lidhet me uljen e deficitit tregtar. Deficiti tregtar i janarit është 21,154 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 10.1 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2008 dhe një ulje prej 41.5 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Diçka e tillë nuk para ndodh dhe logjikisht duhet të kish ndodhur vetëm në rastin kur eksportet tona do të ishin rritur. Në fakt jo. Edhe vetë eksportet kanë rënë. Në muajin janar 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 2,989 milionë lekë, duke zënë 10.8 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me janarin 2008, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 5.1 për qind. Sipas INSTAT, peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës (68.1 për qind).

Në fakt, që në korrik të vitit 2008, çmimet e produkteve t ndryshme kanë shënuar një rënie të konsiderueshme në nivel botëror. Por përsëri një rënie kaq e thellë në vlerën e importeve nuk flet tjetër veçse për rënie konsumi. Vetë shitësit e pakicës të mallrave të konsumit të përditshëm, të kontaktuar nga “MAPO”, flasin për rënie të shitjeve me të paktën 30% nga e njëjta periudhë një vit më parë. Dhe rënia e konsumit është një shenjë e qartë e krizës ekonomike që ka përfshirë vendin. Megjithatë, në ndjekjen e traditës së saj qeveria shqiptare, jo vetëm që nuk e pranon, por flet për të kundërtën.

Bode magjistari!

Përkundër shifrave të Institutit të Statistikave - i cili nuk i shpik vetë, por i merr nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave - ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaron se nuk ka pasur rënie, por rritje të importeve, ndërsa eksportet po përjetojnë një tkurrje të përkohshme. “Sa i takon aktivitetit tregtar është e vërtetë që ka njëfarë tkurrjeje, për tregtinë ndërkombëtare është fjala, jo në atë të brendshme. Pra, në tregtinë ndërkombëtare ka një impakt që ka dy aspekte, së pari, rënie të vëllimit të eksporteve për shkak të rënies së eksportit të mineraleve dhe rënie të vëllimit të importeve për shkak të rënies së çmimeve në tregun ndërkombëtar. Kjo do të thotë që në bilancin financiar total ka impakte jo të drejtpërdrejta në ekonominë shqiptare”, - deklaron Bode.

Por, pavarësisht optimizmit të ministrit, kompanitë e prodhimit të tekstileve në vend kanë javë tashmë që paralajmërojnë falimentin, pikërisht ngaqë produkti i tyre ka si destinacion eksportin dhe kriza ekonomike botërore ka goditur rëndë kërkesën për këto produkte.

Ndërkaq, për konsumin në tërësi, Bode ka teorinë vet, tërësisht të pavarur nga realiteti shifror, ndryshe: realiteti objektiv. “Për sa i takon tregtisë së brendshme, ne kemi tashmë treguesit dymujorë të nxjerrë nga tatim taksat dhe TVSH që është taksa që mat vëllimin e qarkullimit të mallrave në ekonominë e brendshme, është rreth 15% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2008. kjo do të thotë pra që ekonomia vijon të ketë ritmin normal”, - thekson ministri i Financave. Nëse qëndron teza e parë e ministrit, ajo që rënia e çmimeve të produkteve nga importi ka rënë ndjeshëm, atëherë logjikisht edhe të ardhurat nga TVSH duhet të kishin rënë, vetëm në mos vendi kishte përjetuar një bum importesh, çka duket se nuk është rasti. Edhe vetë thelbi i funksionimi të një pjese të konsiderueshme të ekonomisë së vendit përmblidhet në një formulë që në terma banalë mund të thuhet kështu: Me remitanca shqiptarët blejnë importe. Në këtë kornizë, tabloja e Bodes thjesht nuk hyn. Atëherë, si shpjegohet kjo rritje e të ardhurave nga TVSH? Një shpjegim i arsyeshëm mund të jetë ai që Bode është një magjistar i vërtetë i financave.

Pritet më keq...

Shumë thonë se historia sapo ka filluar. Dhe shumë shpejt edhe formula me “remitanca blejmë importet” mund të mos jetë më e vlefshme, përderisa të ardhurat që emigrantët fusin në ekonominë e vendit po vijnë duke e u ulur, ndërkohë që kjo prirje negative do të vijë duke u thelluar nga muaji në muaj, si pasojë e krizës në vendet ku ata punojnë.

Në fakt, janë emigrantët dhe turizmi ata që deri më sot kanë shpëtuar ekonominë e vendit.

Punët do të kishin qenë shumë më keq që para krizës, për ekonominë shqiptare, duke pasur parasysh vetëm bilancin tregtar. Në fakt, paratë që hyjnë në vend dhe ato që dalin jashtë, përfshijnë edhe elementë të tjerë, siç janë të ardhurat që vijnë nga emigracioni dhe të ardhurat nga turizmi. Të dy këta zëra kanë ndikuar rrënjësisht në përmirësimin e situatës. Transfertat korente si çdo vit marrin formë prej prurjeve nga emigrantët. Këto të fundit, përfaqësojnë burimin kryesor të financimit të deficitit në tregti mallrash dhe shërbimesh. Kontributi i këtyre dërgesave në zbutjen e deficitit tregtar llogaritet në rreth 40 për qind. Ndërkaq, të ardhurat nga emigracioni po bien, ndërsa edhe vetë turistët e huaj nuk kanë më aq para sa më parë për t’i shpenzuar në vende me turizëm jokonvencional siç është Shqipëria.

Kjo do të thotë se shqiptarët do të kenë shumë më pak para për të blerë mallra që vijnë nga importi, ndërkohë që ato të prodhuara në vend janë të pamjaftueshme, apo me çmime gjithashtu të larta, si pasojë e kostove të larta në prodhim, pasojë e keqmenaxhimit politik dhe strategjik të prodhimit vendas.

Sektori bujqësor

Sipas të gjitha vlerësimeve të kryera deri tani, handikapi më i madh në sektorët e zhvillimit vendas është pikërisht bujqësia. Edhe vetë Banka Botërore i ka vënë theksin me shqetësim gjendjes së vështirë, në të cilën ndodhet sektori bujqësor shqiptar. Vetëm përmes një sektori bujqësor të zhvilluar mund t’i bëhet ballë një rritjeje botërore të çmimeve të produkteve ushqimore, si dhe një krize ndërkombëtare të paralajmëruar që po afrohet. Por, sektori bujqësor shqiptar paraqitet i lënë në harresë dhe në kushte thuajse primitive.

Sektori bujqësor përbën 24% të PBB shqiptare, punëson rreth 50% të popullsisë dhe ushqen direkt po kaq miliona njerëz brenda kufijve territorialë. Siç argumentojnë ekspertët, që prej vitit 2000, kur Shqipëria u bë anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, qeveria shqiptare nuk ka hartuar asnjë politikë të mirëfilltë për subvencionimin e sektorit bujqësor, pavarësisht nga marzhi prej 5% që i lejonte marrëveshja e nënshkruar me Organizatën Botërore të Tregtisë. Kjo ndodh në një kohë kur, shtete të tilla si Italia dhe Greqia - të cilat zënë pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore me Shqipërinë - e subvencionojnë sektorin bujqësor me rreth 50% të të ardhurave bruto që burojnë prej tij.

Qeveritë shqiptare, duke theksuar në programet e tyre afatshkurtra e afatmesme se bujqësia është dhe do të jete një sektor prioritar për zhvillimin ekonomik e social të vendit, për faktin se ai punëson rreth 50% të popullsisë me të ardhura mesatare jo më të mëdha se 2000 euro në vit për familje, kanë hartuar e me pas zbatuar, disa strategji të shkëputura. Por, deri më sot nuk ka pasur asnjë skemë të qartë të realizuar me sukses.

Aktualisht, Shqipëria importon produkte bujqësore, por thuajse nuk arrin të eksportojë të tilla. Për pasojë, ekonomia përballet me një bilanc thellësisht negativ. Një handikap që bllokon eksportet shqiptare lidhet me arritjen e standardeve dhe të strukturave që i garantojnë ato. Nga ana tjetër, bujqësisë shqiptare, deri më sot, i ka munguar një orientim gjithëpërfshirës. Në këtë drejtim, shtetit shqiptar nuk i duhet të bëjë gjetje të reja gjë, i mjafton të kopjojë, ato struktura që sakaq janë të provuara në mos nga Bashkimi Evropian, së paku nga vendet fqinje, të cilat sanksionohen edhe si të detyrueshme në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Duke u vendosur standardet, hapen mundësitë për eksport dhe nga ana tjetër, krijimi i strukturave të kontrollit, garanton këto standarde, duke krijuar mirëbesim te partnerët. Platforma nuk mund të konsiderohet e plotë, pa u mbështetur prodhimi në mënyrë të orientuar, në mënyrë që t’i ofrohet fermerit çfarë të prodhojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›