E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolumbi, presidenti Uribe gati të lërë zyrën

Autori i Lajmit: A.D

Bogota - Nëse një president amerikan do të kishte kaluar dy mandate në krye të Presidencës amerikane me një mbështetje mbi 70 për qind të votës popullore, çfarë do të kishte ndodhur në vitin e tij të tetë të qeverisjes? A do ta përdorte partia e tij kontrollin e shumicës së Kongresit dhe shteteve për të rrëzuar amendamentin numër 22, duke i lejuar atij një kandidim të tretë....? A do të lejohej ai që të shërbente deri sa ai të zgjidhte me duart e tij të gjithë Gjykatën e Lartë për sa kohë kuotat e tij do të ishin ende të larta? Këto vitet e fundit në shtetin andean të Kolumbisë, kjo çështje nuk ka qenë shumë hipotetike. Presidenti Álvaro Uribe, një konservativ i palëkundur i zgjedhur për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2002, ka fituar një vlerësim të madh për shkak të optimizmit të tij për të kaluar çdo sprovë dhe punës së madhe. Ndoshta mbi të gjitha ai mund të marrë pikët maksimale për strategjinë e tij ushtarake në asgjësimin e grupeve të dhunshme guerile që kanë pushtuar qendrat më të populluara të vendit pas një riorganizimi 10-vjeçar. Vjeshtën e shkuar, një sondazh kombëtar tregoi se 46 për qind e kolumbianëve besonin se askush përveç Uribes nuk ishte në gjendje që të qeveriste vendin. Dhe në Uashington, ku Bogota mendohet të jetë dhe aleati më i rëndësishëm në pjesën tjetër të Amerikës, Uribe vlerësohet si një partner shumë i besueshëm dhe një faktor i rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë rajonale, jo vetëm në luftën kundër drogës. Takimi i sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, me të në Uruguai më herët këtë vit, ishte ndoshta dhe vizita më e lehtë e amerikanëve në Amerikën Latine. Jo shumë kohë më parë, dukej sikur Uribe ishte aq popullor sa nuk do të ishte pengesë për të që të zgjidhej për një mandat të tretë (mandati i dytë përfundon në fund të muajit gusht). Por me një vendim të datës 27 shkurt, Gjykata Kushtetuese u dha një goditje të rëndë mbështetësve të presidentit konservator, pasi nuk ligjëroi kandidimin e tij për herë të tretë në postin e presidentit kolumbian. Një shqetësim i tillë vihej re dhe tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje, Kolumbia sot rrezikon ta shndërrojë emrin e tij në një kult të ri personaliteti. Fanatikët e konservatorëve kanë nisur ta quajnë veten uribistas. Por duke humbur një aleat të pazëvendësueshëm, SHBA-ja mund të fitojë një mik shumë herë më demokratik se ky aktuali. Katër vjet më parë, një ndryshim në Kushtetutën e vendit i lejoi presidentit kolumbian që të zgjidhej për një mandat të dytë, dhe jo në mënyrë të habitshme për arsyet e sipërpërmendura u rizgjodh Uribe. Por ende të pakënaqur, ithtarët e tij nisën një fushatë në vitin 2008 për ti hapur rrugën një mandati të tretë. (Uribe nuk e pranoi kurrë me gojën e tij, nëse ai do të dëshironte të ishte dhe për një mandat tjetër në krye të vendit, por ai nuk bëri asgjë për të ndalur mbështetësit e tij që ti shkonin deri në fund fushatës së tyre. Shtatorin e shkuar, Kongresi Kolumbian i dha dritën jeshile një referendumi për ndryshimin e ligjit aktual të mandateve dhe sondazhet treguan se ai kishte shumë mundësi që të kalonte. Uribe kishte gjithashtu shanse të mëdha për të fituar në zgjedhjet e planifikuara për tu zhvilluar më 30 maj,... por pas 5 muajsh do duhet të lërë zyrën.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›