Brukseli kundër subvencioneve të SHBA
02/06/2005 Komisioneri i Bashkimit Evropian për Tregtinë, Peter Mandelson, tha se Brukseli ka vendosur të rihapë në Organizatën Botërore të Tregtisë çështjen e subvencioneve që merr firma amerikane Boing e prodhimit të avionëve. Kjo masë merret në kundërpërgjigje të vendimit të Uashingtonit, që i kërkoi Organizatës Botërore të Tregtisë të ngrejë një komision të posaçëm për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi subvencionet. Komisioneri evropian tha se është për të ardhur keq, që Shtetet e Bashkuara vendosën t’i drejtohen Organizatës Botërore. Vitin e kaluar, Uashingtoni kërkoi ndërhyrjen e Organizatës Botërore të Tregtisë, duke akuzuar qeveritë evropiane se po subvencionin avionin e ri Airbus 380.