Brukseli, mesazh diplomatik dyshes Rama-Berisha
Zgjidheni krizën sa më shpejt. Ky është mesazhi i qartë që Brukseli zyrtar i ka përcjellë klasës politike në Shqipëri. Ambasadori spanjoll, Manuel Montobbio, dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian në Tiranë, kanë zhvilluar në fund të javës së shkuar takime “të fshehta” me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe Kryeministrin Sali Berisha. Burimet konfidenciale deklaruan për “Shqip” se diplomatët perëndimorë janë mbështetur mbi rezolutën e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës. Më parë ata zhvilluan një takim të posaçëm, por këtë herë publik, me kreun e shtetit, Bamir Topin. Asnjëri prej ambasadorëve nuk u prononcua në lidhje me rezultatin e takimit, duke u mjaftuar me një njoftim zyrtar për shtyp të shpërndarë nga zyra e shtypit pranë Presidentit Topi. Bashkëbisedimi me kreun e shtetit duket se ka qenë vetëm një pjesë e axhendës së diplomatëve. Ajo më e padukshme dhe e palajmëruar zyrtarisht, kishte të bënte me takimet me dy protagonistët e situatës politike ku ndodhet vendi, Sali Berisha dhe Edi Rama. Ambasadori spanjoll, në emër të Presidencës së Bashkimit Europian, mësohet se ka kërkuar qartazi që të shfaqet vullneti politik për t’u ulur e për të dialoguar për zgjidhjen e situatës. Si bazë e mirë për arritjen e konsensusit është marrë rezoluta e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës dhe sugjerimet që ajo ka bërë. “Kërcënimi” i Brukselit duket se ka qenë i qartë për aq kohë sa Rama, ashtu sikurse Berisha, u shpreh menjëherë në mbështetje të pjesëmarrjes në tryezën e kreut të shtetit. Para pak ditësh ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers, ai që zhvilloi një takim me kreun e shtetit, Bamir Topi. Ndonëse publikisht biseda u reklamua si prezantim i kreut të ri të USAID-it në Shqipëri, përtej kësaj mësohet se janë dhënë edhe mesazhe të qarta për situatën politike. Në pritje të delegacionit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, duket se Brukseli do të shtojë edhe më tej presionin ndaj palëve për gjetjen e një zgjidhjeje. Kusht ky i detyrueshëm për ecurinë e reformave që duhet të kryejë Shqipëria në rrugën e saj integruese.
#