Dështimi me dosjet, atentati i 17-të i Berishës
PS, Ligori
Partia Socialiste reagoi dje lidhur me vendimin unanim të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar ligjin e shumëpërfolur të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Deputetja Socialiste, Shegush Ligori, tha se në më pak se një javë, Sali Berisha shënoi një tjetër rekord të turpshëm në historinë e demokracisë shqiptare, një rekord të denjë për një vend si Venezuela, por jo për Shqipërinë që kërkon të integrohet në Europë. “Gjykata Kushtetuese certifikoi atentatin e 17 të Sali Berishës ndaj Kushtetutës, duke hedhur poshtë në unanimitet ligjin për pastërtinë e figurave, një ligj ky i kundërshtuar jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Komiteti i Helsinkit dhe nga Këshilli i Europës”, tha Ligori. Sipas saj, dosjet duhet të hapen, por përmes një ligji të ri për të cilin Partia Socialiste është e gatshme të japë kontributin e saj, një ligj i ri i cili në radhë të parë duhet të respektojë Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Sepse Sali Berisha duhet ta dijë se hetimi i krimeve të së shkuarës nuk mund të bëhet për të larë mëkatet e së tashmes”, tha Ligori.
#