E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimi i naftës në Patos vijon të rritet

Prodhimi me koncesion i naftës në zonën e Patos-Marinzës ngeci në 6260 fuçi në ditë gjatë tremujorit të tretë të këtij viti për shkak të defekteve teknike që mbajtën në nivel të ulët prodhimin në disa puse, por u rrit në 7 mijë fuçi në ditë pas zgjidhjes së problemit dhe pritet të rritet edhe më shumë. Çmimi i naftës shqiptare varioi në rreth 41 dollarë amerikanë për fuçi gjatë tre muajve të fundit nga 35 dollarë për fuçi që ishte në tremujorin e dytë të këtij viti. Çmimi i naftës shqiptare është afërsisht sa 60 për qind e indeksit BRENT që tregon çmimin mesatar të shitjes së naftës së Detit të Veriut në bursën e Londrës. Investimet në sektorin e naftës në Shqipëri u pezulluan gjatë gjysmës së parë të këtij viti, për shkak të rënies së shpejtë të çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar, por rifilluan të gjallërohen kur indeksi BRENT u stabilizua rreth kuotës 70 dollarë për fuçi.

Nafta që nxirret në Shqipëri, kryhet nga thellësi relativisht të ulëta prej 700-1500 metra në terren shumë të thyer, gjë që e rrit koston e nxjerrjes. Që nga koha e zbulimit të burimeve të naftës në vitet ‘20, vlerësohet se është nxjerrë deri tani rreth 60 për qind e sasisë që mund të nxirret me teknologjinë ekzistuese. Burimet aktuale pritet të shterojnë rreth vitit 2025, por shpresa e ekspertëve është që përmirësimi i teknologjive të nxjerrjes nëpër botë do të shtojë edhe sasinë e naftës që mund të nxirret në Shqipëri. Teknologjia aktuale lejon nxjerrjen e vetëm 10-15 për qind të sasisë së përgjithshme të naftës që gjendet në nëntokë.

Rreth gjysma e naftës bruto e prodhuar në Shqipëri dërgohet aktualisht për eksport, ndërsa pjesa tjetër përpunohet në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›