E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri pacientët vuajnë nga: skizofrenia, depresioni, psikozat

Nga të dhënat e përpunuara nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor rezulton se shumica e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet mendore kanë më shumë probleme me skizofreninë, depresionin, psikozat. Lajmin e ka konfirmuar dje në një takim për trajnimin e problemeve për të sëmurët mendorë, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. "Sipas të dhënave të përpunuara nga ISKSH për kujdesin për shëndetin mendor, nga 30 kode diagnozash të listuar te ne për këtë sëmundje, rreth 82 për qind të sëmundshmërisë e zënë vetëm 3 diagnoza, psikoza skizofrenike, gjendja depresive, psikoza aktive", deklaroi Hana.

Sipas saj, vetëm në vitin 2009 janë shtuar 10 barna të reja apo 3 principe aktive të reja në listën e rimbursimit për personat që vuajnë nga sëmundjet mendore.

"Do të ngremë një spital të veçantë për personat me probleme, me rrezikshmëri, ku nuk do të trajtohen si të dënuar, po si persona që vuajnë nga sëmundjet", tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Dje përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, ISHKSH-së, Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë mbledhur për të diskutuar lidhur me problemet e kësaj kategorie, problemet me përqindjen e stresit çdo ditë në mendjet e shqiptarëve si përmirësime për pacientët që vuajnë nga shqetësimet e sistemit nervor. 1 në 4 persona në vendin tonë shfaq probleme të shëndetit mendor, të cilat përveç trashëgimisë gjenetike lidhen më shumë me stresin për shkak të kushteve ekonomike dhe problemeve të tjera të jetesës. "Kemi nevojë për më shumë mbështetje ndaj kësaj kategorie. Ka perceptime të gabuara të popullatës ndaj personave me probleme mendore, duke kërkuar që atyre t‘iu hiqen disa të drejta, si ajo e votës", tha Ledia Lazri, specialiste në Zyrën e Shëndetit Mendor, pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Një studim i bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për shëndetin mendor në Shqipëri, nxjerr si shqetësim paragjykimin ndaj këtyre personave nga shoqëria, shpeshherë duke u mohuar edhe të drejtat e tyre.

Studimi i prezantuar synon ndërgjegjësimin e individëve mbi shëndetin dhe mirëqenien e tyre mendore. Numri i personave me probleme në shëndetin mendor në vendin tonë ka ardhur duke u rritur dhe shpeshherë shfaqet në mënyrë tepër agresive, duke shkaktuar edhe vrasje apo dëmtime te persona të tjerë. Pajisja e tyre me kartelë për probleme mendore i shpëton ata dhe nga dënimi, duke u bërë pjesë kërcënuese për shoqërinë.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›