E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra e Traumës, 10 operacione të vështira

Pacientët me probleme të traumës spinale, dëmtime të shtyllës kurrizore apo të qafës i ndan vetëm një fije nga shpëtimi prej paralizës së përhershme dhe nisjes së një jete normale.

Për të realizuar ndërhyrje të vështira, të veçanta të cilët të sjellin në gjendje të mëparshme, pas një aksidenti, nevojiten kapacitete njerëzore, shkëmbim informacioni me spitalet më moderne, por në mënyrë të veçantë pajisje dhe aparatura. Për fat apo për shkak të rastësisë, plotë dhjetë pacientë të shtruar në Spitalin Ushtarak, në Qendrën e Traumës tashmë kanë dalë nga gjendja e paralizës dhe depresionit...

Neurokirurgu i njohur, Daniel Kim, Lelan Turner, nga spitali i Houston, Texas, Dr. Charles Park, Brandon Barry, Talia Watson nga Baltimora, bashkë me shefin e Qendrës së Traumës, në Spitalin Ushtarak, Fatos Olldashi, dhe personelin mbështetës kanë realizuar plot dhjetë operacione të vështira dhe të veçanta te pacientët shqiptarë. Bëhet fjalë për operacione tepër specifike të cilat nuk kërkojnë vetëm formim profesional, aftësi, talent, janë ndërhyrje kirurgjikale, të cilat kanë nevojë për pajisje të shtrenjta dhe aparatura speciale. Si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme të stafit të qendrës së traumës e në mënyrë të veçantë të shefit të saj, Fatos Olldashi, mjekë tepër të njohur kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar pacientët shqiptarë, për të trajnuar mjekë e njëkohësisht për të ndihmuar edhe me infrastrukturë spitalore, si aparatura apo pajisje të nevojshme për kryerjen e operacioneve të kirurgjisë spinale.

"Duke falënderuar qendrën "Shalom" e cila mundësoi vendosjen e urës së kontaktit dhe doktorin Olldashi për bashkëpunimin e gjatë i cili do të vijojë edhe në të ardhmen desha të tregoj për përshtypjet e mia më të mira për pacientët shqiptarë, mjekët këtu në Qendrën e Traumës dhe shkëmbimin e eksperiencës në të ardhmen", tha neurokirurgu Daniel Kim. Sipas tij, është interesant fakti që edhe mjekët amerikanë, të cilët kanë në spitalet ku punojnë pajisje për t‘u pasur "zili" nga qendrat spitalore në botë, në Qendrën e Traumës në Shqipëri, ata mund të mësojnë nga aftësitë dhe talentet e mjekëve shqiptarë.

Bashkëpunimi me mjekët amerikanë ka ardhur pesë vjet më parë, dhe ata vijnë çdo vit për të ndihmuar pacientët në vendin tonë si misionarë të humanizmit dhe dashamirësisë për të ndihmuar pacientët nga problemet e vështira të shtyllës kurrizore apo të qafës. "Brenda një viti janë 60 persona që kanë nevojë për kirurgji spinale në pjesën e shtyllës kurrizore dhe 30 të tjerë në pjesën e qafës", sqaroi shefi i Traumës, Fatos Olldashi. Sipas tij, rastet më të vështira dhe më të veçanta operohen nga mjekët amerikanë në bashkëpunim me mjekët shqiptarë.

Mbajtja e "korrespondencës" me stafin e mjekëve që vijnë çdo ditë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryhet nga shefi i Traumës. Veç bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës me spitalet e huaja, Olldashi ka kryer edhe specializime lidhur me kirurgjinë spinale në Danimarkë, Holandë, Amerikë.

Ndërsa në Shqipëri, nga 60-90 raste çdo vit kanë nevojë për këto lloje ndërhyrjesh, kirurgjia spinale në vendin tonë ka nisur të zhvillohet në vitin 2006. Mesatarisht sipas kostove të llogaritura, një ndërhyrje e kirurgjisë spinale jashtë vendit kushton rreth 20 mijë euro, ndërsa në Shqipëri ajo kap shifrën e 1600 eurove.

Sakaq, mjeku Kim, sqaron se pasi të kthehet në SHBA, ai do të vijojë bisedimet për të ndihmuar shërbimin e Traumës me pajisje dhe aparatura të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të kirurgjisë spinale në vendin tonë. "Bashkëpunimi do të jetë më i ngushtë dhe do të shtrihet më gjerë edhe në të ardhmen, me të vërtetë e kam", përfundon Kim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›