E Diel, 1 Nëntor 2026

Medalje mirënjohjeje për Jeffrey T. Griffin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi dje "Medaljen e Mirënjohjes" presidentit dhe drejtorit ekzekutiv të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Jeffrey T. Griffin. Medalja iu dorëzua z.Griffin nga vetë Presidenti në një ceremoni të veçantë, ku qenë të pranishëm ambasadori i SHBA-ve, John l.Withers, drejtoresha e USAID, Roberta Mahoney, e personalitete të tjera.

"Shumë faleminderit, zoti President! Po e marr këtë medalje me shumë respekt dhe mirënjohje dhe po e pranoj në emër edhe të stafit tim të vjetër, të stafit të ri, natyrisht edhe të bashkëshortes time. Siç e dini, puna që kemi bërë deri tani ka qenë shumë e madhe, po kemi përpara edhe një punë shumë më të madhe dhe sot ne kemi arritur që të themelojmë Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Presim me padurim, dhe të gjithë ne e presim këtë gjë, që të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe me ju. Ju faleminderit shumë", tha Griffin pasi mori medaljen. Z.Griffin ka drejtuar gjatë dhjetë viteve të fundit një nga institucionet financiare më aktive dhe më të rëndësishme të Shqipërisë. I themeluar dhjetë vite me parë si një fond zhvillimi i financuar nga qeveria e SHBA-ve, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve ka investuar në më shumë se 40 kompani. Asetet e saj u gjashtëfishuan gjatë kësaj periudhe në 180 milionë dollarë. Investimet e fondit ndihmuan në krijimin e 5 mijë vendeve të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›