E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ardhurat e buxhetit, tendencë negative

Buxheti i shtetit shqiptar ka regjistruar të ardhura më të ulëta se një vit më parë në tre nga katër muajt e fundit, gjë që tregon për tendencë negative që mund të vijojë edhe gjatë muajve të ardhshëm, bëhet e ditur nga statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave. Të ardhurat e buxhetit gjatë këtyre muajve qenë jo vetëm më të ulëta se sa plani, por edhe më të ulëta se viti 2008, kjo pavarësisht faktit se zhvlerësimi i lekut gjatë kësaj periudhe ka sjellë taksim më të lartë të mallrave të importit.

Kështu, në muajin maj, të ardhurat shënuan për herë të parë një nivel më të ulët se sa viti 2008, pavarësisht rritjes së të ardhurave nga TVSH-ja me 9.4 për qind, ndërsa në qershor të ardhurat u rritën si pasojë e një paniku që zuri kompanitë e importit të duhanit nga lajmi se do të rritej akciza e këtij produkti. Në korrik dhe gusht, të ardhurat shënuan rënie.

Tendencë negative

Ekspertët janë të shqetësuar për faktin se efektet e krizës ndjehen me vonesë në ekonominë shqiptare dhe se mund të mos jenë kapërcyer ende. Kjo vërehet edhe te të ardhurat e buxhetit. Kriza financiare ndërkombëtare filloi në shtator të vitit të kaluar, por të ardhurat e buxhetit nuk njohën ndonjë pasojë të madhe negative. Deri në mars, të ardhurat qenë më të larta se një vit më parë, ndonëse jo aq lart sa pati parashikuar qeveria. Por gjatë muajve të fundit, as inflacioni prej 2.2 për qind dhe as zhvlerësimi i lekut kundrejt euros me rreth 8 për qind, nuk e ndihmuan dot administratën doganore e tatimore të mbanin të ardhurat në rritje. Në gusht, qeverisë i munguan në llogari rreth 7 miliardë lekë, ose 53 milionë euro. Në këtë muaj qeveria arkëtoi në total 23.5 miliardë lekë (180 milionë euro), por shpenzimet për gushtin qenë 31.1 miliardë lekë (rreth 238 milionë euro) dhe deficiti duket se po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t‘u mbuluar.

Historikisht, të ardhurat e buxhetit të shtetit kanë pësuar rënie në muajt e fundit të vitit, gjë që e bën më të vështirë situatën. Për më tepër, qeveria duket se po justifikon shpenzime të larta duke kryer parashikime jorealiste për të ardhurat. Kështu, për katër muajt e fundit të vitit, qeveria ka parashikuar të arkëtojë 131 miliardë lekë nga taksat dhe tatimet, ose 33 miliardë lekë në muaj. Parashikimi nuk merr parasysh faktin se asnjëherë në historinë e vendit nuk është parë një nivel i tillë i të ardhurave tatimore. Gjatë periudhës janar-gusht, të ardhurat e buxhetit qenë mesatarisht 24.4 miliardë lekë në muaj. Në këto kushte, gjendja financiare e qeverisë pritet të përkeqësohet. Sakaq, në gusht qeveria iu drejtua Bankës së Shqipërisë për të marrë kredi direkte prej 3 miliardë lekësh, mjeti që konsiderohet si rasti më ekstrem. Me ligj, Banka e Shqipërisë mund t‘i japë qeverisë një kredi të tillë vetëm në raste të jashtëzakonshme, me kushtin që kredia të shlyhet nga qeveria në një kohë të shkurtër. Qeveria nuk i është drejtuar BSH-së për kredi direkte që prej shumë vitesh.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›