E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i armëve, dënohet me 7 vjet burg Fatmir Rama



Tiranë – Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur dje të dënojë me shtatë vjet burg të pandehurin Fatmir Rama, të akuzuar për “trafik të municioneve”. Por 40-vjeçari ka përfituar ulje dënimi pasi gjykohej me gjykim të shkurtuar, ashtu siç qenë aktet e përgatitura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Fatmir Rama u vu në pranga gjatë operacionit të koduar “Shkozeti”, më 4 qershor të vitit të kaluar. Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se ai ka trafikuar një sasi municionesh dhe armësh nga Kosova në vendin tonë. Pasi armët kanë hyrë në Shqipëri, policia dhe prokuroria, nëpërmjet përgjimeve telefonike, e kanë ndjekur të pandehurin, ku edhe ka rezultuar se një pjesë të armëve ai i ka fshehur në një banesë në Mamurras, ndërsa pjesa tjetër është dërguar në Durrës. I pandehuri u kap në flagrancë me një sasi prej tri pistoletash “Bereta”, kalibër 7.65 mm, pesë pistoleta jugosllave “Zastava”, kalibër 6.35 mm, tre granata defensive, një automatik “model 56”, kalibër 7.62 mm, 90 fishekë pistolete, 260 fishekë kallashnikovi si dhe katër krehra me municion për një pushkë automatike. Gjatë arrestimit të tij, 40-vjeçari Rama ishte duke u takuar me personin që kishte kryer porosinë për armë.

Pretenca, 15 vjet burg ish-policit që akuzohet se shfrytëzoi dy të mitura

Tiranë - Prokuroria e Tiranës kërkoi dje shpalljen fajtor dhe dënimin me 15 vjet burg për ish policin e Komisariatit Korçë, të akuzuar për trafikim dhe shfrytëzim të miturash, me qëllim prostitucioni. Haxhi Qelemini u kap më 11 shkurt të vitit të kaluar në një shtëpi private në rrugën “Besa”, tek ish-Frigoriferi, pranë nënstacionit elektrik në Tiranë, bashkë me dy vajzat, e mitura nga Korça, A. J, 13 vjeçe dhe J. O, 17 vjeçe.
Vajzat, që dyshohet se shfrytëzoheshin seksualisht nga ish-polici i Korçës, mësohet se janë mbajtur prej tij në Tiranë prej më tepër se një jave. Sipas hetimeve, i pandehuri, pasi i kishte mashtruar duke u thënë se do t'u gjente punë, i kishte sjellë vajzat në Tiranë. Më pas ai i kishte dërguar ato në shtëpinë që kishte marrë me qira më parë dhe ishte kujdesur për organizimin e rrjetit të klientëve me qëllim që të arrinte edhe fitimet financiare për shlyerjen e qirasë së shtëpisë, ku mësohet se kanë ndodhur edhe takimet e vajzave me persona të ndryshëm.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›