E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokurorët amerikanë: Në llogaritë e Diverolit mungojnë 10 milionë dollarë

Përfaqësuesit e akuzës janë në kërkim të 10 milionë dollarëve dhe të një mjeti “Benz”. Verifikimi zbuloi se Diveroli zotëron vetëm 4.2 milionë dollarë në bankë

Habjon Hasani

Tiranë - Efraim Diveroli rezulton “i varfër” në sytë e prokurorëve të Majemit që prej muajsh po e hetojnë. Kështu kanë raportuar dje gazetat e Majemit, të cilat janë informuar nga prokurorët e Majemit se në llogaritë bankare të Efraim Diverolit janë gjetur vetëm 4.2 milionë dollarë, ndërsa vetëm në kontratën (300 milionë USD) e shumëpërfolur që ai kishte me Pentagonin mundi të prokuronte rreth 60 milionë dollarë. Nga tabela e fitimeve që ka paraqitur zyrtarisht firma e tij AEY, prokurorët amerikanë kanë konstatuar se në llogari të Diverolit dhe tre drejtuesve të tjerë të firmës mungojnë rreth 10.3 milionë dollarë, si dhe një “Mercedes-Benz” që prokurorëve u del mangët nga krahasimet e shpenzimeve të deklaruara prej djaloshit amerikan që u kthye në një kontraktor miliarder të Pentagonit. Prokurorët mendojnë se këto 10.3 milionë dollarë të munguara mund të jenë pikërisht ato sasi të ardhurash që Diverolit mund t’i kenë “rënë rrugës”, ndërsa ka lidhur kontrata të dyshimta, si ajo me firmën “Evdin ltd”. Kontratat dhe pagesat që Efraim Diveroli i ka bërë ndërmarrjes MEICO kanë shërbyer si provë për prokurorët amerikanë për të ngritur akuzën e zhvatjes dhe transaksioneve të paligjshme mbi Diverolin. Tashmë me këtë shtim akuzash, djaloshi që tronditi Pentagonin rrezikon deri në njëzet vite burg.
Pagesat
Gazeta “Albania” botoi pesë muaj më parë për herë të parë listën e faturave që Diveroli kishte bërë për MEICO-n duke nxjerrë publikisht rolin fantazmë dhe prej sekseri të firmës “Evdin ltd”. Të dhënat e siguruara nga prokurorët amerikanë lidhur me faturat e pagesave ndërmjet firmës “AEY” dhe “MEICO”-s kanë zbuluar rolin inekzistent të firmës seksere “Evdin ltd” në këtë marrëdhënie. Por këto të dhëna duket se kanë nxjerrë automatikisht në pah fshehjen dhe grabitjen e më shumë se 8 milionë dollarëve nga kjo firmë. Që prej qershorit deri në dhjetor të vitit 2007, asnjë pagesë nuk është kryer nga firma “Evdin ltd” në drejtim të “MEICO”-s, por kjo firmë, sikurse ka rezultuar në hetimet e Prokurorisë, ka rritur çmimin nga 22 USD/ 1 mijë fishekë në 40 dollarë/1 mijë fishekë. Por faturat e siguruara nga prokurorët amerikanë kanë zbuluar se pagesat janë bërë direkt nga llogaria e firmës “AEY” dhe firma “Evdin lid” nuk ka pasur kurrfarë aksesi në pagesat e bëra për çdo transportim dhe eksportim të municionit për në Afganistan.
MEICO
E gjithë zbardhja e skemës së vjedhjes nga ana e firmës “Evdin ltd” mund të evidentohet në kontratën që ish-ministri Mediu bëri publike dy ditë pasi ishte dorëhequr nga posti i tij. Sipas kësaj kontrate, “MEICO” do t’ia shiste fishekët (për çdo 1 mijë copë) me 22 dollarë firmës “Evdin”, ndërsa më vonë firmës “Evdin” i lindte e drejta (të drejtë që ia kishte njohur edhe firma “AEY”-ja) që t’ia shiste këto sasi të blera firmës “AEY” me një çmim më të lartë. Pra, firma “Evdin” duhej t’i blinte te “MEICO” dhe t’i shiste te “AEY”. Po ku janë blerjet e firmës “Evdin”?! Këto blerje nuk figurojnë në faturat e siguruara nga prokurorët amerikanë, pasi të gjitha pagesat i ka bërë direkt firma “AEY”. Në këto kushte lind pyetja: Pse i duhej një kontratë e tillë Ministrisë kur dollarët i paguheshin direkt nga firma “AEY”?! Përse kjo Ministri lidhi një kontratë me firmën “Evdin ltd”, duke e ekspozuar këtë firmë si blerëse të saj, ndërkohë që sot rezulton se asnjë blerje nuk është bërë nga kjo firmë?! Po diferenca prej 18 dollarësh (për 1 mijë fishekë) si u sigurua nga kjo firmë në kushtet kur ajo nuk operonte në sistemin bankar me kompaninë “MEICO”?! Logjikisht e vetmja mundësi është se diferenca e fitimit ilegal të “Evdin ltd” të jetë depozituar në llogari private të individëve dhe jo në subjektin privat të licencuar “Evdin ltd”.

BOX
“New York Times”: “EVDIN ngriti pazarin dhe zhduku gjurmët e përfituesve”

”Paketuesi amerikan i përfshirë në këtë marrëveshje, Kosta Trebicka, tha se ai dyshonte se qëllimi i kompanisë “Evdin” ishte t’i transferonte paratë te zyrtarët shqiptarë. Shitjet, sipas Trebickës, ishin mister: Shqipëria shiste municione tek “Evdin” 22 dollarë për 1000 fishekë, ndërsa “Evdin” ia shiste AEY-së së Diverolit për shumë më tepër. Diferenca, sipas Trebickës, ndahej me zyrtarët shqiptarë, me Pinarin, që ishte kreu i agjencisë së eksportit të armëve dhe me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. (Mediu dha dorëheqjen javën e kaluar pas shpërthimeve të depove të municionit). "Tani Berisha, Pinari, Mediu i kanë mohuar akuzat". Por Trebicka thotë se pasi ngriti shqetësimin për “Evdin” dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kompania u detyrua të përjashtohej nga kontrata. Më 11 qershor 2007, Trebicka dhe Diveroli bëjnë një bisedë telefonike për problemet e biznesit në Shqipëri. Trebicka e regjistroi këtë bisedë, që më vonë ua kaloi hetuesve shqiptarë. Biseda tregoi se kompania amerikane ishte në dijeni të korrupsionit në Shqipëri dhe se “Heinrich Thomei”, një kompani shitëse armësh zvicerane, qëndronte prapa “Evdin”. Diveroli ka thënë se ”Thomei, ose i quajtur Henri, vepronte si ndërmjetës në këtë biznes. Pinari ka nevojë, si edhe Henri, që në ndërmjetësim të jetë i kujdesshëm, që të ruajë lëkurën e tij, gjë që nuk është në biznesin tim”. Zoti Diveroli tha se, “unë nuk dua të di asgjë rreth atij biznesi. Unë dua të di rreth legjitimitetit të bizneseve”.

BOX
Pronarët e “Evdin ltd” krijuan dhe firmën “Garrietta ltd”

Personat që krijuan firmën “Evdin ltd”, në të njëjtën ditë krijuan dhe firmën “Garietta ltd”. Njësoj si firma “Evdin ltd”, edhe “Garietta” rezultonte me seli në Qipro dhe me të njëjtët numra telefonikë boshnjakë, si të “Evdin”: 00387 62 94 24 52 (që është numër celular) dhe 00387 32 40 72 72, i fikur prej ditësh. Ekzistenca e shoqërisë së dytë fantazmë është zbuluar nga media pak javë më parë ku “Evdin Ltd” deklaron adresë të sajën numrin 1 në rrugën “Thermophylon”, në Larnakë, ndërsa “Garietta” zgjedh si adresë false adresën: “Lord Byron Street”, Numër 33, gjithnjë në Larnakë. Në këtë adresë ndodhet selia e një banke. Që të dyja shoqëritë janë identike, me një “drejtor”, emri i të cilit ndryshon vetëm me ndonjë germë, por që kanë dhe e-mail të njëjtë. Pambos Fellas quhet drejtori i “Evdin ltd”, ndërsa Pampos Felas ai i “Garietta Lld”. Emra plotësisht të panjohur dhe anonimë. Por krijimi i dy firmave të ndryshme nuk është edhe aq rastësi nëse u referohesh rasteve të trafiqeve. Është një formulë klasike tashmë që për të humbur gjurmët krijohen dy firma, njëra për të justifikuar ndërhyrjen (“Evdin lid”), ndërsa tjetra për të marrë dërgesat e fitimeve të paligjshme (“Garietta ltd”). Ndoshta nuk është thjesht rastësi që firma e dytë e krijuar, me të njëjtën adresë që kishte dhe firma që kontraktoi shteti shqiptar, i korrespondonte adresës së një banke. E për më shumë në një bankë të Qipros, shtet i njohur për sistemin e tij off-shore (jashtë kontrollit) bankar.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›