Konviktet parauniversitare, shtohen 151 punonjës edukativë
Jonida Tashi
Shtohet numri i punonjësve edukativë në konviktet e sistemit arsimor parauniversitar. Sipas vendimit të marrë nga qeveria, njësive të qeverisjes vendore do t’u shtohen 151 punonjës edukativë për administrimin e konvikteve të sistemit arsimor parauniversitar. Këta punonjës duhet të jenë me arsim të lartë për mësuesi. Shpërndarja e numrit të punonjësve që do të punësohen në drejtoritë ose zyrat arsimore përkatëse është bërë sipas rretheve. Qeveria, duke marrë parasysh edhe kërkesat e bashkive ose të komunave për shtim të numrit të punonjësve në konvikte, ka miratuar shpërndarjen e tyre për çdo drejtori dhe zyrë arsimore. Gjithashtu, është përcaktuar se emërimet në këto konvikte do të bëhen vetëm për pozicionet zëvendësdrejtor dhe edukator. Emërimi i këtyre punonjësve pritet t’u vijë në ndihmë mjaft nxënësve që strehohen në konvikte, të cilët deri para pak muajsh kanë qenë pa drejtorë dhe kujdestarë.
Kalimi
Para nisjes së vitit shkollor 2008-2009 u shkurtuan nga puna 122 drejtues dhe kujdestarë në të gjithë vendin. Kjo erdhi pas vendimit të Këshillit të Ministrave që konviktet të kalojnë nën administrimin e bashkive. Ndërsa sipas dikasterit të Arsimit, këto largime nga puna nuk kishin të bënin me shkurtime të personelit, por konviktet janë nën administrimin e bashkive. Më 30 qershor të vitit 2008, me një vendim të Këshillit të Ministrave, konviktet e shkollave të mesme për gjithë vendin kaluan nën administrimin e pushtetit vendor, çka do të thotë se ato nuk do të administrohen më nga drejtoritë arsimore rajonale. Në muajin gusht, po të vitit 2008, Ministria e Arsimit bëri të ditur se rreth 487 punonjësit e konvikteve nuk janë pezulluar nga puna, por thjesht kanë ndryshuar mënyrën e administrimit.
Skema e re
Në përputhje me skemën e re, të paraqitur nga MASH-i, për ndryshimin e administrimit të konvikteve nga Ministria për te njësitë vendore në rrethet përkatëse, qeveria miratoi projektligjin e ri. Njësitë e pushtetit vendor, në bazë të këtij vendimi, janë përgjegjëse dhe do të vendosin vetë për numrin e punonjësve, strukturat analitike, rregullat për marrjen në punë dhe emërimin e tyre. Në këtë mënyrë pushteti vendor do të ketë më tepër autoritet mbi administrimin, menaxhimin dhe marrjen në punë të punonjësve në konvikte. Sipas skemës së re, njësitë e pushtetit vendor do të vendosin vetë për skemën e administrimit të konvikteve të sistemit parauniversitar, me synim plotësimin e kushteve të jetesës për nxënësit që vijnë nga shtresat sociale në nevojë, si dhe për ata nxënës të cilët e kanë të pamundur rikthimin në vendbanimin e tyre. Arsyeja këtij ndryshimi është parë nga Ministria e Arsimit si një masë në vijim të politikës decentralizuese dhe të menaxhimit të shërbimeve më pranë përfituesve dhe qytetarëve.
DAR/ZA Nr.i punonjësve në konvikte
Gjithsej Zv.drejtor Edukator
DAR Berat 7 1 6
ZA Skrapar 3 1 2
DAR Dibër 5 1 4
ZA Mat 4 1 3
DAR Durrës 7 2 5
DAR Gjirokastër 8 2 6
ZA Tepelenë 2 1 1
ZA Përmet 3 1 2
DAR Fier 6 2 4
ZA Lushnjë 3 1 2
DAR Elbasan 14 2 12
ZA Gramsh 2 1 1
DAR Korçë 10 3 7
ZA Kolonjë 3 1 2
ZA Lezhë 3 1 2
ZA Mirditë 8 2 6
DAR Kukës 4 1 3
ZA Has 2 1 1
ZA Kavajë 3 1 2
ZA Malësi e Madhe 1 1
DAR Shkodër 20 4 16
ZA Pukë 4 1 3
DAR Tiranë 22 7 15
DAR Vlorë 7 2 5
Gjithsej 151 41 110
27 Janar 2009