Qeveria, 170 milionë dollarë shtesë për investime e subvencione shtetërore
Kryeministri Sali Berisha deklaroi, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria do të rialokojë rreth 17 miliardë lekë në sektorë të caktuar, fond ky që është rezultat i një performance financiare mjaft të mirë në drejtim të mbledhjes së të ardhurave. “Këto 170 milionë USD, ose 200 milionë me kursin e tanishëm, vijnë së pari si rezultat i uljes së kostos së borxhit publik, pasi mirëmenaxhimi i borxhit ka bërë që interesat e tij të zbresin në rekordin historik 2.1 përqind të GDP, dhe nga kjo janë përfituar 3.3 miliardë lekë” - deklaroi kryeministri. Gjithashtu, Berisha informoi se këto para vijnë nga mirëmenaxhimi i fondit të pagave dhe shpenzimeve operative të marra së bashku, pasi janë kursyer dhe janë shpëtuar nga abuzimet 2.3 miliard lekë. Në këtë drejtim, zoti Berisha theksoi se administrata meriton një përgëzim, sepse ka menaxhuar dhe administruar me norma dhe standarde të shëndosha si fondin e pagave, ashtu edhe atë të shpenzimeve operative, dhe të gjitha këto janë të pas korrikut, sepse në korrik është bërë rialokimi". Më tej, kreu i qeverisë theksoi se 3 miliardë lekë vijnë nga ulja e kostos së prokurimeve publike të brendshme dhe këtu nuk përfshihen financimet e huaja, dhe as rialokimet që ministritë kanë bërë, por kjo është tepricë neto. “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve për shkak të uljeve të kostos së prokurimeve ka përfituar nga ajo dhe ka hapur fonde të reja pune. Mjafton të rikujtoj këtu se terminali i portit të Durrësit është kontraktuar me 42 përqind të fondit të parashikuar dhe është fituar nga një nga kompanitë më serioze. Nëse themi se 3 miliardë lekë janë vetëm 3 muajt e fundit nga financimet e brendshme, këtu nuk përfshihen rialokimet që ministritë kanë bërë nga ana e tyre.1.3 miliardë lekë janë shpenzime të tjera dhe subvensionet që kanë mbetur, pra origjina e tyre është një origjinë shumë fatlume dhe akoma më i mirë është destinacioni i tyre” - tha ai. Nga kjo shumë e përgjithshme kryeministri Berisha se qeveria do të rialokojë një fond prej rreth 8 miliard lekë për investimet publike. “Nga kjo shumë rreth 5 miliard lekë janë investime direkte në rrugë dhe 3 miliard lekë është shuma për shpronësimet. Po finalizohet dosja e shpronësimeve për autostradën Fier-Vlorë, për unazën e madhe të Tiranës, për unazën e vogël të Tiranës dhe kështu me radhë, pasi fondi i shpronësimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm”- vuri në dukje kreu i ekzekutivit. Ndërkaq prej shumës së 17 miliardë lekëve qeveria do të rialokojë 4 miliardë lekë në formën e kredisë qeveritare Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Në këtë kuadër Berisha vlerësoi se KESH ka bërë përpjekjet më serioze për të menaxhuar krizën më të madhe në historinë e vendit, për sa i përket thatësirës. “Për fatin tonë jo të mirë çmimet e energjisë për vitin 2006-2007 janë trefishuar sipas periudhave të vitit, ndaj dhe ne i japim këtë shumë KESH-it, për t'u përballur me problemet e krijuara nga energjia” - deklaroi Kreu i Qeverisë