Qafë-Shllak, makina bie në greminë, aksidentohen 3 persona
SHKODËR - Tre persona kanë mbetur të plagosur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një aksident automobilistik në rrugën Kukës-Pukë. Burime zyrtare të Policisë së Shkodrës thanë se ngjarja ndodhi në aksin rrugor Kukës - Pukë, në vendin e quajtur Qafë-Shllak, kur një automjet tip “Benz”, me targa TR 80 36 J, i drejtuar nga Ylli Bardhi, ka rrëshqitur rreth 500 metra në humnerë, duke dalë nga rruga. Për pasojë kanë mbetur të plagosur drejtuesi i autoveturës dhe dy persona që udhëtonin me të. Policia po heton për shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti. Gjatë kontrollit të mjetit policia ka gjetur në automjet 5 pistoleta, ndërsa dyshimet janë hedhur për ndonjë trafik të mundshëm të armëve. Për rrjedhojë, policia e Pukës ka nisur një procedim penal ndaj tre personave të aksidentuar. Bëhet e ditur se të tre të dëmtuarit, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak në Tiranë, janë jashtë rrezikut për jetën.
Korçë, grabiten paratë te kisha e Shën Thanasit
Korçë - Një objekt i kultit ortodoks në qytetin e Korçës është grabitur dy ditë më parë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë përvetësuar një sasi parash të dhuruara nga besimtarët. Burime zyrtare nga Policia rajonale e Korçës thanë se “persona ende të paidentifikuar kanë thyer derën e pasme dhe kanë shkallmuar katër kasaforta të vendosura në ambientet e brendshme të kishës së Shën Thanasit, e ndërtuar pas viteve ‘90, në kodrat e qytetit”. Autoritetet kishtare të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës kanë sinjalizuar policinë për këtë vjedhje dhe kanë kërkuar kapjen e autorëve pasi, sipas tyre, “ky është një rast i përsëritur që cenon objektet e kultit ortodoks jo vetëm në qytet, por dhe në zona të tjera të qarkut, sidomos me afrimin e festave fetare”. Policia tha se është drejt identifikimit të autorëve të vjedhjes së kishës së Shën Thanasit, bazuar në gjurmët e zbuluara në vendngjarje. Objektet fetare bien pre shpesh e grabitjeve. Dje u grabitën paratë në kasën e xhamisë “Mbret” në qytetin e Elbasanit.
1 Prill 2009