E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria: Agimi ishte i bindur se Irena është gjallë

04/02/2005  TIRANË –Pas seancës 7-orëshe të dëshmisë së Agim Mushos, dy netë më parë, Prokuroria pohoi për gazetën “Metropol” se hetuesit e kanë parë mjaft të bindur Agim Mushon, teksa thoshte se gruaja e zhdukur, Irena Seli, është gjallë. “Agimi gjatë marrjes në pyetje ishte i bindur se Irena është gjallë. Se ajo është larguar nga qyteti i Durrësit me dëshirën e saj, dhe me një plan të përgatitur kohë më parë”, pohuan burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, për gazetën “Metropol”. “Përfundimi i hetuesve është se Agimi ka qenë i bindur në ato që ka deklaruar për mbërritjen e gruas së tij shëndoshë e mirë në Durrës dhe më pas për largimin e saj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, vijuan burimet. Sipas tyre, veç dëshmisë gojore për kronologjinë e ngjarjes dhe dyshimet e tij, Agimi nuk ka paraqitur ende prova të konsiderueshme për hetuesit. Duket se Prokuroria e ka konsideruar provë edhe bindjen e Mushos në fjalët e tij para hetuesve, për shtatë orë me radhë. Prokuroria, tha se dëshmia e pronarit të kompleksit “Bruno”, dy netë më parë, ka ndihmuar në hapjen e dritës jeshile për një version hetimesh mbi ngjarjen. Pas dëshmisë së Agim Mushos, Prokuroria ka urdhëruar nisjen e verifikimeve të tjera ndërkombëtare, me qëllim verifikimin e një vendndodhjeje të mundshme të Irena Selit, gruas së zhdukur pa gjurmë në datën 16 dhjetor 2004. Ashtu sikurse babai i tij, edhe Bruno, djali i të zhdukurës, ka qenë krejt i bindur në thëniet e tij. Ai u ka komunikuar prokurorëve dhe hetuesve bisedën që ka zhvilluar me nënën e tij, kur ajo i ka thënë se do të shkonte në SHBA dhe se nuk e donte më babain e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›