E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bualioti: Festivali i Butrintit në vështirësi ekonomike

 

ALMA MILE

Për shumë njerëz ishte utopi. Kishim lënë pas një periudhë të vështirë dhe Shqipëria në sytë e botës ishte ende një vend i frikshëm. Ishte viti 2000, kur një grup artistësh vendosën të ngrenë Festivalin Ndërkombëtar Teatror të Butrintit. Këtë vit “Butrinti 2000” bën 10 vjet. Kanë kaluar në skenën e tij emra të mëdhenj, regjisorë e aktorë, por ashtu si në vitin e parë ky festival e ka të vështirë për të siguruar financat e nevojshme, për organizimin e tij. Duket se emri i madh nuk mjafton si garanci për të “zgjidhur” qesen. Edhe këtë vit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ofroi një ndihmë minimale “Butrintit 2000”, 6 milionë lekë të reja. Ndërsa shpreh habinë e këtij vendimi, drejtori i këtij festivali, Alfred Bualioti shpreson në një tjetër mundësi përmes Ministrisë së Financave, me ndërhyrjen e MTKRS-së.
Z. Bualioti, këtë vit Festivali i Butrintit bën 10 vjet, si keni ardhur deri këtu?
Nuk ka qenë një rrugë e lehtë. Kur vendosëm të ngrinim këtë festival, shumë njerëz e panë si utopi. Sapo kishim lënë pas Luftën e Kosovës, Shqipëria ende ishte në sy të së gjithëve si një vend refugjatësh, ende i pastabilizuar dhe tepër larg vëmendjes së artistëve. Vit pas viti, me shumë vullnet dhe pasion, por edhe me mbështetjen e shtetit arritëm të bënim 9 edicione të këtij festivali.
Vitet e fundit jeni ndeshur me probleme financiare, cila është mbështetja që merrni këtë vit nga shteti?
Në këtë edicion të dhjetë menduam se do ta kishim më të lehtë dhe sigurisht në kohë, mbështetjen financiare. Them më të lehtë, sepse tashmë “Butrinti 2000” ka fituar një emër dhe këtë e ka dëshmuar kritika, media, por edhe vlerësimet e artistëve të huaj, që kanë ardhur këtu dhe që përkundër mentalitetit tonë, nuk ta kursejnë kritikën, apo vlerësimin. Megjithatë edhe këtë vit nuk po e kemi të lehtë të sigurojmë mbijetesën. Pas “penalizimit” të padrejtë nga ana e ish-ministrit Ylli Pango, një vit më parë, këtë herë prisnim një mbështetje më të madhe. Megjithatë, ndoshta edhe për shkak të momenteve të vështira që ka kaluar MTKRS,  morëm të njëjtën shumë me një vit më parë. Sigurisht që ne nuk e prisnim që të ishim sërish përballë një situate të tillë.
Si mendoni t’ia dilni mbanë?
Po bëjmë të gjitha përpjekjet për të arritur shumën e duhur për realizimin e këtij jubile. Në këtë kuadër, po mundohemi të sigurojmë një shumë modeste nga fondi i veçantë i Ministrisë së Financave, dhe me mbështetjen e Ministrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërkohë që po mundohemi të tërheqim edhe sponsorë të tjerë.
Ç’ofron edicioni i këtij viti?
Mendojmë që këtë edicion ta hapim në datën 10 korrik me një mbrëmje me rastin e 10-vjetorit të festivalit, ku do të shfaqim një dokumentar mbi historinë e këtij aktiviteti, ndërsa do të kemi të ftuar muzikantin Vladimir Kotani, i cili prej vitesh jeton në Korfuz. Ai do të jetë i pranishëm me një kuantet harqesh, për të krijuar një ambient sa më të ngrohtë dhe të përshtatshëm për këtë ngjarje. Festivali do të nisë në datën 11 korrik me një pjesë bashkëkohore “Rikardi III” me regji të Katalina Bizojanut, e cila ka hapur festivalin e parë. Do të vijojnë më tej trupa nga Italia, Greqia, Bullgaria, Turqia, Kosova, Bosnje- Hercegovina, Franca. Janë zhanre të ndryshme, që nga tragjedia, tek danc teatri. Kemi dy variante të “Grave trojane” të Eskilit, por të sjella në variante moderne. Një nga to është pjesa që vjen nga Sarajeva, e cila mbështetet në eksperiencën e popullit boshnjak. Mendoj që të teta trupat përbëjnë një program me interes, që sjell shkolla, laboratorë, krijimtari të vërtetë.
Mes trupave pjesëmarrëse nuk dëgjuam ndonjë nga Shqipëria…
Jo, nuk do të ketë një trupë nga Shqipëria. Kemi ndjekur me vëmendje të gjitha shfaqjet, që janë ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar e skenat e tjera të Tiranës, por gjithashtu edhe në skenat e rretheve si Korçë, Shkodër, apo Fier, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë në nivelin e Festivalit të Butrintit, apo në formatin e tij. Kështu që e pamë më të arsyeshme që të mos kishim një pjesë shqiptare. Duke parë nivelin e trupave të ftuara, është më mirë që të mos jemi të pranishëm thjesht për numër.

Programi

 “Rikardi III”, regjia Katalina Bizojanu, Teatri “Bulandra”, Bukuresht
 “Pasioni i grave të Trojës”, regjia Salvatore Tramacere, teatri “Korea”, Leçe, Itali
 “Elektra”, danc teatër, regjia Sofia Spiratou, Athinë, Greqi
 “Fedra”, regjia Fadil Hysa, Teatri “Dodona” dhe “Sythi”, Kosovë
 “Dervishi dhe vdekja”, regjia Nurullah Tuncer, teatri “Izmit”, Turqi
 “Trojanet”, regjia Selma Spahiç, Teatri Nacional i Sarajevës, Bosnje-Hercegovina
 “Makbeth”, regjia Diana Dobreva, Bullgari
 “Kantik”, balet-teatër, regjia Katalina Bizojanu, Francë-Rumani

Historik

Historia e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrinti 2000” nisi në vitin 2000, si një nismë e Qendrës Kombëtare të Teatrit Mesdhetar, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Gjatë nëntë edicioneve, në skenën 2500 vjeçare të teatrit të Butrintit, janë ngjitur dhjetëra trupa nga e gjithë bota, që nga fqinjët tanë, deri tek Amerika e largët. Trupa nga Greqia, Maqedonia, Serbia, Italia, Polonia, Bullgaria, Anglia, Holanda, Ukraina, etj., kanë sjellë eksperiencat e tyre teatrore shumë vjeçare, duke u bërë një shkollë për artistët e rinj shqiptare, por edhe një mundësi për të shkëmbyer eksperienca për artistë nga vende të ndryshme të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›