E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet edicioni i dytë i “Sotirit”

 

Qendra Kulturore “Lindart & Anima”/Projekt 5.6 dhe Bashkia Korçë organizon edicionit të dytë të Konkursit Ndërkombëtar për fotografë të rinj «SOTIRI 2009». “Një prekje dhune”, kështu titullohet edicioni i radhës, i cili ka për kurator, artistin Harri Pälviranta. Hapja e këtij edicioni do të zhvillohet ditën e shtunë, datë 23 maj 2009, ora 18.00 në Galerinë «Guri Madhi», në Qendrën Kulturore «Vangjush Mio» në Korçë. Një ditë pas hapjes së këtij edicioni, nga organizatorët është menduar mbledhja e një paneli diskutimi, “Korça në imazhe”. Flasin për publikun Natasha Lako, Maks Velo e Ben Blushi. Më tej është menduar një prezantim në publik i artistëve Stratos Kalafatis nga Greqia, Harry Pälviranta nga Finlanda dhe Ivan Blazhev nga Maqedonia.
“SOTIRI” është një konkurs ndërkombëtar për fotografë të rinj, që synon të ndërtojë një traditë të re të zhvillimit dhe promovimit të fotografisë në Shqipëri. Ky aktivitet solli të parin çmim të këtij lloji në Shqipëri. Çmimi “SOTIRI” përfshin hapjen e ekspozitës së fotografisë në Korçë dhe më tej në Tiranë, si dhe mbajtjen e një paneli diskutimi për fotografinë. Aktiviteti mban emrin e Kristaq Sotirit (1883-1970), fotografit korçar, i cili u formua si fotograf në SHBA, krijimtaria e tij portretizoi qytetarinë shqiptare, jetën kulturore dhe protagonistët e saj, sipas stilit amerikan të kohës. Ai ishte një nga profesionistët e parë, që ndërtuan traditën e fotografisë në Shqipëri, bashkë me emra të tjerë të mëdhenj të fotografisë shqiptare. Edicioni i parë i Çmimit “SOTIRI” reflektoi mbi historinë dhe faktet, që e vërtetojnë atë, mbi mënyrën se si ata veprojnë mbi artistët dhe realitetet bashkëkohore, të cilave ata u përkasin. Koncepti “Ruaje këtë” u përpoq të kthejë vëmendjen te praktikat artistike, që lidhen me dokumentimin e realitetit nëpërmjet fotografisë, procesit të “ruajtjes” së një momenti të vyer, që kapërcen bukurinë e momentit dhe bëhet stacion për reflektim dhe qasje të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›