E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, qyteti me 144 mijë banorë vetëm me një çerdhe

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Çerdhja e fëmijëve, e cila ndodhet në afërsi të drejtorisë së Higjienës është e vetmja në një qytet me 144 mijë banorë, siç është Elbasani. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetit Publik numri i lindjeve vetëm për 2008 ka arritur në shifrën 1 mijë dhe këtu përfshihen të gjitha foshnjet që jetojnë në qytet. Në bazë të këtyre të dhënave numri i çerdheve në qytet duhet të ishte të paktën 10. Në të vetmen strehëz për fëmijë deri në 3 vjeç, aty strehohen aktualisht 90 vogëlushë. Në qytet ka kopshte që presin fëmijë parashkollorë e në disa raste janë përshtatur ndonjë ambient për fëmijë mbi 2 vjeç, por dhe ato jashtë kushteve specifike për këtë grupmoshë. Në të vetmen çerdhe mësohet se jo gjithçka është perfekte, pasi përveç mbingarkesës dhe numrit të madh të kërkesave për të dërguar aty fëmijët, ka probleme dhe në kushte. Ajo është ngritur pasi i është marrë kopshtit një pjesë e tij për fëmijët më të vegjël. Institucionet vendore shumë vonë janë kujtuar për të investuar tek më të vegjlit, me qëllim që tek e vetmja çerdhe të bëhet sistemi i ambienteve brenda normave. Një nga nënat thotë se çerdhja u rregullua vetëm kur prindërit shkuan e trokitën në zyrën e kryetarit të bashkisë për t’ia bërë prezent shqetësimin e tyre. Prindërit e fëmijëve thonë se një ndër problemet e mbetura pezull është kaldaja e çerdhes. Ajo funksionon vetëm kur ka energji elektrike dhe gjatë dimrit fëmijët dhe kujdestarët detyroheshin të qëndronin pa ngrohje ose e realizonin me mjete të tjera rrethanore. Një tjetër problem është mungesa e ambienteve të jashtme për fëmijët. Kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i kontaktuar në lidhje me këtë çështje është shprehur se bashkia ka paraqitur në këshillin bashkiak në fillimvit një projekt që ka të bëjë me ndërtimin e një tjetër çerdheje me drekë, e cila pritet të nisë brenda 3-mujorit të ardhshëm. Kjo godinë parashikohet të vihet në shërbim të familjeve në pjesën veriore të qytetit të Elbasanit, zonë e cila nuk ka një çerdhe. Me një plan afatgjatë prej 4 vitesh është parashikuar ndërtimi i një sërë çerdheve në qytet. Pritet që vetëm atëherë të zgjidhet problemi për shumë familje në qytetin e Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›