E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shesim organizata kriminale



Unë nuk njihem personalisht me deputetin e Partisë Demokratike, Ilir Bano, por ajo që më ka befasuar jo pak është dëshmia e një prej ish-ushtarëve të Aldo Bares, që gjoja i kanë kërkuar Banos mbrojtje dhe të flasë mirë për të në Parlament. Së pari, për ta kishte kush fliste mirë e mirë në Parlament. Së dyti, në tërë atë dosje të stërmadhe ka ndoshta deputetë e politikanë që kanë njohje e miqësi me kreun e organizatës, Aldo Bare, por nga shkrimet e pafund që dhe vetë kam shkruar, por dhe të kolegëve të lexuar, materialeve që janë në dosje dhe atyre që janë thënë nga hetuesit, nuk më rezulton lidhje e Banos gjëkundi me këtë grup kriminal, më shumë se qenia nga i njëjti qark. Pastaj Lushnja dhe Fieri, zona e kontrolluar nga ky rrjet kriminal, ka shumë deputetë, disa kanë emrat për miqësi me të arrestuar. Ka plot 16 parlamentarë që do të dalin më 28 qershor nga ky qark, pas Tiranës është zona më me rëndësi në këto zgjedhje, ndaj kanë nisur të bëhen llogari me çdo kusht për të përfituar maksimumin. Ndikimi i këtij grupimi ka qenë i fortë në Vlorë, në Elbasan, pra aty ku dalin rreth 40 deputetë. Presioni i krimit është në sfond dhe nuk duhet qëndruar indiferent, pasi ata e kanë betejën për të mundur ligjin, kanë nisur të japin kontribut për të sjellë miq të tyre në pushtet, qoftë larg t’ia dalin, nga cilido krah politik i majtë apo i djathtë qofshin.

Lidhja, por dhe truku duket qesharak edhe për faktin e thjeshtë se hetimet kanë pasur mundësitë reale të prokurorisë e shërbimeve të tjera që kanë qenë vazhdueshëm nën kontrollin e PS nga 1999 deri në 2005 dhe për gjysmë ore me mjetet e tyre mediatike e publikonin këtë lidhje demokrate të Aldo Bares. Më ngjan tepër me një pastrim të porositur, sepse është vërtet një produkt krejt i pavend. Kjo dëshmi tashmë e pakontestuar, por dhe e dyshimtë për shumë arsye, ngre një fenomen e dukuri të pazakontë të shmangies së ngjarjeve në thelbin që ata përcaktojnë. Në tërë rrëfimin e ish-pjesëtarit të organizatës kriminale citohej një dialog dyfjalish, ku i kërkohej deputetit demokrat, Ilir Bano, të fliste mirë, e ku ai përgjigjet që nuk kam punë me ju. Ky është një rast vërtet i duhur që të vëresh me kujdes alibinë, për ta shndërruar këtë grup të strukturuar kriminal, në një të përndjekur politik. Kjo është seriozisht përpjekje për të hequr qafe një nga historitë më kriminale që ka ngjizje të mirëfilltë politike. Në mijëra faqe të kësaj dosjeje ka rrëfime e dëshmi tronditësi, ka vrasje, dhunime, kërcënime, ekzekutime policësh, e atentate të sa të tjerëve, ka një grupim me një hierarki të qartë që kishte ndërtuar selinë e urdhrave dhe qëndrimit me një mur ndarës me komisariatin e policisë në Lushnje. Vështirë të të rrokë mendja se si ministrat e Brendshëm të qeverisjes socialiste kanë kaluar në këtë qytet, kanë shkuar mbase dhe në komisariatin nr. 1 për të përcjellë mesazhet e luftës ndaj bandave dhe vetëm 20 centimetër mur larg kishin karrigen ku qëndronte Aldo Bare me të tijtë. Më tej, vijnë lidhjet e biznesit dhe të trafiqeve të drogave të shtrenjta, ashtu si Bare kërkohej jo vetëm nga Turqia, ku u arrestua, por edhe nga Italia ku u prangos krahu i tij i djathtë, Enver Dondollaku. Deputetë jo të panjohur të majtë u kanë dhënë makinat Alfred Shkurti dhe shokëve të tij për punë nga më të shumta dhe disa prej tyre mund të jenë ende në Parlament, duke u mburrur për integrimin e Shqipërisë në NATO, integrim që e ngadalësuan pikërisht ata dhe ortakët e tyre. Kjo organizatë kriminale më e rrezikshmja në Shqipëri, që herë pas herë kulmon të ringjallet me gjithë arrestimet e shumta, ka trashëguar miliona, për të mos thënë miliarda euro. Paraja për to është gjëja më e parëndësishme dhe problemi më i vogël, pasi kanë pasur armët në dispozicion për t’i fituar me çdo formë. Është edhe “Hakmarrja për drejtësi”, një organizatë tjetër që poseduesit e këmbejnë për të përfituar politikisht. Një miku im prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme më ka thënë kur është arrestuar Altin Arapi, se vetëm dy politikanë nuk janë tërhequr në luftën kundër kësaj organizate kriminale, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Dhe tani pas kaq vitesh, i jap të drejtë për thënien që ai e kishte mbështetur në dijeni të dosjeve. Sepse sot vë re një dukuri e fenomen të frikshëm, atë të shitjes së organizatave kriminale, jo vetëm e “Bares”, por edhe e të tjerave. E kjo bëhet tani që ka nisur fushata dhe këtu vihet re indiferentizmi i prokurorisë. Nga vitit 2004 deri në vitin 2008 nuk ka funksionuar dhe sekuestrimi i pasurive të krimit të organizuar e terroristëve dhe hetuesit kanë pranuar që krerët e këtyre organizatave kanë përfituar, ndonëse në burg, miliona euro. Këto para janë aktivizuar për t’i shërbyer një grupimi elektoral e politik që ka qenë i njehsuar shumë më herët me “Organizatat” dhe është vështirë që ato të shiten. Miqtë e miqve dinë si të sillen, bota e nëntokës është ca qindra herë më e egër, e ashpër dhe e dhunshme, por ata dinë të diktojnë me arkivin e tyre dhe të mos lënë politikanët t’i gënjejë mendja se ua hodhën.

Dhe për të dalë drejt nga qorrsokaku, institucioni i akuzës, kryesisht Prokuroria e Përgjithshme është matësi më i mirë për të zbuluar dhe thënë të vërtetën se kush janë lidhjet politike të organizatave kriminale, për të mos lejuar publikisht e paturpësisht shitjen e tyre sa nga njëra parti politike tek tjetra. Prokuroria kam bindjen se ka në dosje qartë e shkruar pa asnjë gabim emrat e deputetëve që janë të lidhur, implikuar e përzier me të fortët, që merrnin e ndoshta marrin përsëri para prej tyre, aq më shumë tani që janë zgjedhjet. Mjafton që prokuroria të hapë të gjitha dosjet dhe të kërkojë heqje imunitetesh, prangosje, sesa të lejojë turbullirën e shitjeve të organizatave kriminale në tregun elektoral të 28 qershorit. Nëse kujtojmë viktimat, vrasjet e grupeve kriminale të këtyre organizatave që shiten kryesisht nga opozita drejt dyshimeve nga e djathta, janë shumë të frikshme si ngjarje dhe nuk duhen ofruar si alternativë nga kontrolluesit e shtypit politik. Meqë dosjet e Sigurimit të Shtetit ia dolën të qëndrojnë të fjetura, lypset që kjo fushatë të mbikëqyret fort për ndikimet e krimit të organizuar dhe implikimet. Sepse paraja e pisët kërkon përfaqësues të pastër në Kuvend, e kjo mbërrihet me tregtinë e organizatave kriminale, ky është slogan që mund ta bllokojë mazhoranca, udhëtarja që plotësoi fatin shqiptar më 3 prill, anëtarësimin në NATO, në Aleancën e Lirisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›