Bubullimë në PS
• Martin LekaNë përpjekjet e tij titanike për të realizuar ëndrrën e karrierës, (kryeministër), kryetari i Partisë Socialiste po vijon turin e tij rural. Këtë radhë, eskorta e tij u ndal në Bubullimë, një fshat i Myzeqesë, i njohur si gjithë fshatrat e zonës për prodhimet e ndryshme ...bujqësore, grurë e kollomoq, por edhe për prodhimet e perimeve të stinës, si pras, etj. Me të qenë edhe deputetë apo udhëheqës të tjerë të PS, të cilët jo vetëm e shoqërojnë kryetarin e PS në ndonjë nga turret e tij, por shfrytëzojnë rastin edhe për ndonjë drekë, darkë apo mëngjes pune me kryetarin.Në Bubullimë pra, kryetari i socialistëve, i shpjegoi edhe njëherë bubullimasve "politikën e re", vizionin e tij për një Shqipëri evropiane, për të majtën si ajo e partisë së Toni Bler (ish) dhe për mbprapshtitë e Sali Berishës dhe kolaboracionistëve të tij në PS, të cilët afërmendsh, përfaqësojnë politikën e vjetër shqiptare?!...Gjithë turi i Ramës në fshatrat dhe komunat e vendit, në pamje të parë, duket si një "ekskursion" gjigand, i cili vetëm turistik s'mund të jetë. Kryetari i socialistëve i ka idetë e veta të qarta në kokë: të fitojë zemrën e njerëzve (jo vetëm të majtë), paçka se ai mund të jetë nga qyteti a nga fshati, bujk apo zdrukthëtar, mësues a peshkatar, mjelëse apo shtëpiake, e pasur a varfanjake… Pra, në dyndjen e tij, lideri socialist nuk është se edhe vetë e ka idenë e tij të qartë apo bindjen e se këta do t'i kuptojnë frazat e teoritë e tij. Ai e di se kjo që po bën me fshatin, vetëm nuance mund të ketë me teoritë e Mao Ce Dunit "fshati të rrethojë qytetin", apo me atë të Enver Hoxhës, i cili diku nga fillimi i viteve '80, u shpjegonte lushnjarëve me kompetencë dobinë e ujitjes së bimëve me pika uji... Disa javë më parë, po në vijim të këtyre takimeve, kamerat ishin kujdesur të tregonin kryetarin e PS të ulur "vëndçe", këmbëkryq me fshatarët. Po, po, ishin ulur në tokë, pa shtruar asgjë dhe pa u kujdesur se mos ftohen nga poshtë. Kur një miku im e kishte parë këtë skenë televizive, më tha pa dorashka: "Kot mundohen ta imitojnë Enverin, ai nuk ishte kaq budalla sa të mos kujdesej t'i shtronin një qilim a sixhade…"?!...Në fakt, gjithë kjo që po bën kryetari socialist, është punë e tjetërkujt. Më saktë, do të ishte punë e kryetarit të Partisë Agrare. Kjo parti i ka dhe duhet t'i ketë natyrshëm këta njerëz si elektoratin e saj të besueshëm e koherent. Përpjekja për të marrë sa më shumë elektorat, shpesh mund të rezultojë një boomerang.Problemi i vërtetë i Ramës nuk është çështja e besimit tek politika e re, nuk është moskuptimi i saj nga elektorati, nuk është mosnjohja e tij nga votuesit e sa më shumë njerëz të tjerë, pasi Rama ka qenë gjithnjë mediatik, unikal në pamje e veshje, madje edhe në gjatësi rekord ndër politikanë. Problemi i vërtetë i partisë së Ramës është vetë partia e tij. Një parti që po të përdornim zhargonin e përditshëm, do ta konsideronim "copë-copë". Një parti që më shumë se sa kurajon për të bashkuar brezat dhe kontributet në PS, përdor diversionin. Një parti që në vend të vizionit, përdor disa figura (të reja apo të vjetra) si pasqyrë për të treguar se "janë me ne" edhe këta; apo një parti që disa udhëheqës i përdor si "manekinë" vitrinash permanenti e disa të tjerë i "ngul" non stop mbi katedra e foltore…Me këtë përqasje e nisma politike që ka PS-ja e tanishme, e vetmja gjë e saktë që mund të thuhet është fakti se është në kohë për t'u përgatitur: për analiza e takime, për promovime e fjalime, për kongrese e zgjedhje, për kandidatura e pushtet, për qeveri e kryeministër... Në vitin 2013...!