E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, raporti i “PAMECA”-s për policinë, i kopjuar nga ai i Bangladeshit

• Ky është një zbulim që mund të përfshijë "PAMECA"-n, misionin e asistencës për policinë shqiptare të Komisionit Evropian, në një skandal të vërtetë. Bëhet fjalë për raportin e vitit 2007, hartuar për gjendjen e policisë shqiptare, i cili është kopjuar pothuaj fjalë për fjalë nga ai i hartuar për policinë e Bangladeshit, nocion gjeografik pranë Indisë së largët.Ferdinand DervishiKëtë të vërtetë mund ta provojë gjithkush që ka përpara një kompjuter dhe akses në internet. Mjafton të kërkosh në "Google" me fjalët kyç "obstacles, reform, initiatives" dhe në ekran të të shfaqen dy raporte, një i 21 qershorit 2007, nënshkruar nga kreu i "PAMECA"-s në Shqipëri, gjermani Klaus Shmidt, dhe një tjetër për policinë e Bangladeshit, që sipas referencave duket i hartuar të paktën në vitin 2006. Kjo është një nga provat që thonë se raporti për policinë shqiptare është i kopjuar. Një tjetër fakt, që shkon drejt të njëjtit përfundim, është edhe ai sipas të cilit, raporti për policinë e Bangladeshit është përpiluar nga një ekspert që duket goxha i kualifikuar, pasi emri i tij është i pranishëm edhe në shumë studime të tjera. Quhet N. B. K. Tripura dhe gëzon titujt "Inspektor i Përgjithshëm i Policisë së Bangladeshit" dhe njëkohësisht "Drejtor i Projektit Kombëtar për Reformën e Programit të Policisë". Të dy raportet që janë fjalë për fjalë, të njëjtë në rreth 70 për qind të materialit, kanë në qendër një opinion për nivelin dhe problemet më të mëdha të dy policive, asaj shqiptare dhe asaj të Bangladeshit. Dhe së fundmi, raporti për policinë e Bangladeshit i shpreh problemet telegrafikisht, dhe për këtë fakt duket është kopjuar me anë të metodës copy-paste (kopjim dhe ruajtje në një faqe tjetër). Ndërkohë që të tjerë raporte që gjenden në internet, për vende të tjera në zhvillim, janë më të gjatë dhe më të detajuar, si dhe të ndërtuar krejt ndryshe. Pra, nuk është se raporti i "PAMECA"-s për Shqipërinë është i ndërtuar mbi një model të njohur që merret për bazë në hartimin e raporteve të ngjashme.   KopjimiPo le t'i shohim më hollësisht të dy raportet. Raporti i "PAMECA"-s nis me një citat apo thënie e vendosur përmbi titullin e madh. Në anglisht: "Police reforms are long-term, difficult and expensive to implement by nature, but that should not prevent us from doing it" dhe në shqip "Reformat në polici kërkojnë kohë dhe janë të vështira e shpenzuese për t'u zbatuar, por kjo nuk duhet të na ndalojë ne t'i kryejmë ato". E njëjta shprehje është e vendosur në fund të raportit për Bangladeshin, hartuar nga Tripura. Në vazhdim, pothuaj të gjitha pikat e dy raporteve janë të njëjta, edhe pse në raportin për policinë shqiptare sipër tyre ka një numër rendor të faqeve. Raporti ndryshon vetëm kur hartuesi ka të bëjë me kontekst të ndryshëm, pra, ndryshon përmbajtjen kur duhet të shkojë nga "in Albania" në "in Bangladesh". Po kështu raporti është i ndryshëm në pikat kur flitet për aktualitetin shqiptar dhe atë të Bangladeshit. Ndërkohë që në raportin për Shqipërinë ka një pikë të fryrë për misionin "PAMECA" dhe impenjimet e tij. Pjesa tjetër është pothuaj e kopjuar. Madje deri në detaj. Ka një moment kur hartuesi i raportit për policinë e Bangladeshit shkruan se një nga problemet e hasura është edhe "colonial mindset- mentalitet kolonial" që në raportin e "PAMECA"-s për Shqipërinë është konvertuar në "clan mindset - mentalitet klanor". Më tej, fundi i raportit është thjesht i kopjuar totalisht, më saktë faqet 7,9,10 dhe 11.HartuesitPor cilët janë njerëzit që kanë kopjuar këtë raport të policisë së Bangladeshit të humbur, një vend që edhe pse në gjendjen që ndodhemi, ne shqiptarët e marrim për shembull të keq krahasimi? Sa për hapje oreksi të gjithë duhet të mësojnë se të ardhurat e tyre vjetore kapërcejnë numrin e parë çift me pes zero nga pas shtuar shenjën e eurove, një shifër që nuk do të arrihej kurrë nëse do të mblidhej shuma e pagesës vjetore në detyrën që kanë pasur në policitë e vendeve nga kanë ardhur. Së dyti, këta njerëz para se gjithash paguhen pikërisht për të monitoruar, pra paguhen më shumë se për të gjithë shërbimet e tjera pikësëpari për hartimin e këtyre raporteve. Dhe së fundmi, një ekip që ka monitoruar reformën në polici dhe drejtuar pothuaj të gjitha trajnimet, si ka mundësi që nuk di të hartojë një raport, por e kopjon atë? A përbën kjo një tallje të mirëfilltë të filluar me ne shqiptarët? Për më tepër që në raportin që mban datën 21 qershor 2007, thuhet se reforma në polici nuk ka përfshirë "për herë të parë" drejtorin e Përgjithshëm, edhe pse është bërë rotacion politik, ndërkohë që Bajram Ibraj është larguar që në mars 2007. A duhet të dyshohet këtu edhe për politizim të këtij formacioni që quhet, apo është quajtur "PAMECA"?.Pjesët e kopjuaraRaporti për BangladeshinAktualisht ka iniciativa për reforma në policinë e Bangladeshit. Një shërbim policie i orientuar nga komuniteti. Qendra të shërbimeve të shpërndara në stacionet e policisë në metropol. Ndryshime të drejtimit në praktikat e policisë dhe zhvillimi i partneritetit polici-komunitet në MTs Përmirësimi i Policisë vs. Shkalla publike (aktualisht 1:1200) Rritje e numrit të femrave police. Mbështetje për viktimat dhe risi në drejtësi. Adresim i trafikimit të qenieve njerëzore Pengesa për iniciativat në reforma. Faktorë organizues. Mungesa e dëshirës së organizimit për reforma. Mungesë e organizimit për çuarjen përpara dhe motivimin e reformave. Mungesa e pavarësisë në veprim. Nuk ka njësi të specializuara policie të cilat mund të veprojnë me shfaqjen e disa lloje krimeve (pastrimi i parave, krime kompjuterike, konflikte të ulëta të intensitetit apo rebelim, etj.) Pengesa në iniciativat për reforma. Faktorë të varur nga konteksti. Mungesa e koordinimit mes policisë dhe agjencive të tjera mbi forcimin e ligjit. Ndryshime të vazhdueshme/transferime në polici dhe marrësit kryesorë të vendimeve. Mungesë interesash. Mungesa e dëshirës politike. Mentalitet kolonial Pengesa në iniciativat për reforma. Burime të pakta informacionesh. Nevoja për të përmirësuar koordinimin ndërmjet MoHA, PRP dhe policisë së Bangladeshit. Policia është nën rezerva sidomos në terma të pagave dhe pajisjeve. Mungesa e kërkimeve dhe elementeve për analizim(në fund të raportit shkruhet)Shkurtimisht: Reformat në polici kërkojnë kohë dhe janë të vështira e shpenzuese për t'u zbatuar, por kjo nuk duhet të na ndalojë ne t'i kryejmë ato.Raporti për ShqipërinëFaqja 7 Aktualisht ka iniciativa për reforma në policinë shqiptare. Një shërbim policie i orientuar nga komuniteti. Ndryshime të drejtimit në praktikat e policisë dhe zhvillimi i partneritetit polici-komunitet. Rritja e nivelit të oficerëve të policisë të angazhuar në shërbime operacionesh. Rritje e numrit të femrave police. Mbështetje për viktimat dhe risi në drejtësi.Faqja 9Pengesa për iniciativat në reforma. Faktorë organizues. Mungesa e dëshirës së organizimit për reforma. Mungesë e organizimit për çuarjen përpara dhe motivimin e reformave. Mungesë e drejtuesve të konsoliduar Faqja 10Pengesa në iniciativat për reforma. Faktorë të varur nga konteksti. Mungesa e koordinimit mes policisë dhe agjencive të tjera mbi forcimin e ligjit. Ndryshime të vazhdueshme/transferime në polici dhe marrësit kryesorë të vendimeve. Mungesë interesash. Ndërhyrje politike. Mentalitet klanorFaqja 11 Pengesa në iniciativat për reforma. Burime të pakta informacionesh. Nevoja për të përmirësuar koordinimin ndërmjet trupave të tjerë të Drejtësisë & Çështjeve të brendshme dhe policisë. Policia është nën rezerva sidomos në terma të pagave dhe pajisjeve. Komunikimi i brendshëm i varfër. Nevojë për të përmirësuar kërkimet dhe elementet për analizim(në fillim të raportit, përmbi titullin e madh)Reformat në polici kërkojnë kohë dhe janë të vështira e shpenzuese për t'u zbatuar, por kjo nuk duhet të na ndalojë ne t'i kryejmë ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›