Nisma, 12 000 mjekë do japin gjak vullnetarisht
• Për të sensibilizuar qytetarët në dhurimin vullnetar të gjakut, Ministria e Shëndetësisë e nis me bluzat e bardha. Nga sa bën me dije ky dikaster, të gjithë punonjësit e shëndetësisë në rrethet e vendit duke nisur nga data 17 deri më 28 dhjetor, do të dhurojnë gjak. "Dhurimi i gjakut prej këtyre punonjësve, është pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, që synon rritjen e dhurimeve vullnetare të gjakut, si mënyra e vetme për gjak të mjaftueshëm dhe të sigurt. Deri tani pjesë e kësaj fushate janë deklaruar Drejtoritë e Shëndetit Publik dhe spitalet në Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë, Elbasan, Shkodër dhe Lezhë", ka deklaruar specialistja e transfuzionit të gjakut në Ministrinë e Shëndetësisë, Vjollca Duro. Ajo shtoi, se "kësaj nisme pritet t'i bashkohen edhe rrethe të tjera. Kështu nëse të 12 000 mjekët e infermierët do të bëhen pjesë e këtij angazhimi, në bankat e gjakut tashmë të zbrazura situata pritet të ndryshojë. Ka ardhur koha që opinioni publik të kuptojë se dhënia e 300 mililitrave gjak, nuk shkakton asnjë problem në shëndetin e njeriut", sqaroi Duro, duke theksuar, se për të përballuar nevojat gjithnjë e më në rritje për lëngun jetik sensibilizimi dhe ndihma e qytetarëve është e domosdoshme. Aktualisht, niveli i dhurimit vullnetar është tepër i ulët. Bankat mbahen me flakonet e dhuruesve me pagesë dhe atyre familjarë. Sipas strategjisë së Ministrisë së Shëndetësisë, procesi i kalimit të dhurimit të gjakut me pagesë në atë vullnetar, do të jetë gradual dhe do të përfundojë brenda afatit të përcaktuar prej 5-10 vjetësh me objektivat përkatëse.