E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse dritat me kufizim?

• Eduard ZaloshnjaPyetjes "Pse i kemi dritat me kufizim?" shqiptarët i përgjigjen në mënyra të ndryshme, në vartësi të motit ose preferencave politike. Kur moti sillet në mënyrë jodashamirëse me basenet e hidrocentraleve tona, për-krahësit e maxhorancës (e majtë apo e djathtë qoftë ajo) bëjnë fajtor mëmën natyrë. "Thatësirë si kjo s'është parë në 1200 vjetët e fundit", - citojnë statistikat që servirin krerët e maxhorancës. Ndërsa përkrahësit e opozitës, pavarësisht nga moti, bëjnë fajtor keqmenaxhimin e KESH-it në përgjithësi, e të rezervave ujore në veçanti. Të paanshmit, nga ana tjetër, tregohen më të baraslarguar - ata bëjnë fajtorë të dyja krahët e politikës shqiptare, të cilat e kanë zvarritur deri më sot ndërtimin e centraleve të rinj elektrikë.Të gjitha arsyetimet e mësipërme, pjesërisht, qëndrojnë. Por sidoqoftë, ato nuk i shkojnë në rrënjë problemit. Problemi themelor i energjisë elektrike në Shqipëri qëndron në faktin se KESH-i është një korporatë (publike apo private, kjo nuk ka rëndësi) që hedh në treg një mall, 25% e të cilit aktualisht ose vidhet, ose thjesht nuk paguhet. Kjo shifër konsiderohet një sukses nga Gjergj Bojaxhiu, drejtuesi aktual i KESH-it, sepse kur ai u vu në drejtim të korporatës, plot 35% e energjisë që futej në sistem ose vidhej, ose nuk arkëtohej. Por pincat dhe prangat që tund Bojaxhiu para kamerave televizive si zor se mund ta zbresin këtë shifër më poshtë se 25 përqindëshi aktual.Çfarë do ndodhte në qoftë se e gjithë energjia që shkon te konsumatorët do paguhej me një çmim të mjaftueshëm për mbulimin e kostos dhe krijimin e një fitimi të arsyeshëm për KESH-in? Së pari, konsumi i saj do pakësohej. Pse? Sepse dihet që kur çmimi për blerjen e një malli të vlefshëm është zero (pra kur nuk paguhet për të), kërkesa s'ka kufi, ndërsa kur çmimi rritet (pra paguhen lekë për të) kërkesa ulet. Së dyti, në qoftë se e gjithë energjia do paguhej, KESH-i do kishte para të ndërtonte një linjë tensioni të lartë, të aftë për importimin e energjisë kur hidrocentralet thahen. Së treti, KESH-i do kishte para për ta blerë energjinë nga jashtë kur t'i nevojitej. Dhe së katërti, KESH-i do kishte para të rinovonte rrjetin e amortizuar të shpërndarjes, i cili gëlltit aktualisht plot 20% të energjisë së sistemit në formën e firove teknike.Pasi ka lexuar arsyetimin e mësipërm, dikush mund të pyesë nëse ndërtimi i TEC-it në Vlorë do ndikojë në përmirësimin e furnizimit me energji të shqiptarëve. Përgjigjja është "Jo dhe aq". Pse? Sepse ai TEC nuk do e prodhojë energjinë me kosto zero.  Së pari, këstet e kredisë së marrë për ndërtimin e tij do duhet të paguhen çdo vit. Së dyti, çdo vit do duhet të bëhen shpenzime për mirëmbajtjen e tij. Dhe së treti, çdo ditë do duhet naftë për funksionimin e tij. Dhe çmimi i naftës sot ka shkuar në kufijtë e 100 dollarëve për fuçi në tregun botëror. Për të gjitha këto, e për arsye të tjera, është vështirë të mendosh se kostoja e energjisë së prodhuar nga TEC-i i Vlorës do jetë ndjeshëm më e ulët se sa e asaj të importuar.Po hidrocentralet dhe centralet e reja të gjithfarëlloj që po diskutohet të ndërtohen me koncesion, a nuk do e ndryshonin gjendjen? Përsëri, çështja rrotullohet te kostoja. Investitorët e huaj apo të vendit dihet që motivohen nga fitimet e pritshme kur i futen një investimi. Dhe ata nuk kanë pse ia shesin energjinë KESH-it me çmim më të ulët se ai i tregut rajonal. Ata do e bënin këtë gjë vetëm në qoftë se qeveria shqiptare do i lejonte të bënin një investim të tillë, që nuk do kërkonte shpenzime të mëdha për mbrojtjen e ambientit. Dhe në këtë mënyrë, ata shqiptarë që do e pësonin nga përkeqësimi i ambientit do paguanin me keqësimin e shëndetit të tyre për ata që s'denjojnë të arkëtojnë asnjë lek për korrentin që harxhojnë.Pas kësaj paranteze të gjatë, le t'i kthehemi edhe një herë vjedhjes dhe mosarkëtimit të energjisë. Pincat dhe prangat e Bojaxhiut, të vetme, nuk mund t'i çojnë ato në zero, ose afër zeros. Sepse kur Bojaxhiu pret një linjë, pas ca ditësh, ajo rilidhet. Ndërsa kur ai padit dikë në Prokurori, çështja ose zvarritet, ose përfundon me një gjobë që zoti e di nëse do paguhet ndonjëherë. Dhe kështu, mbetemi tek 25 përqindëshi aktual, i cili, sado që është rekordi më i ulët i arritur deri më sot në statistikat e vjedhjes/mosarkëtimit të energjisë, prapë është i pamjaftueshëm për të siguruar një gjendje të shëndoshë financiare të KESH-it.Atëherë ç'duhet bërë? Duke mbajtur parasysh rolin vendimtar që energjia elektrike luan në zhvillimin e një vendi, si dhe trajtimin e saj nga shumë shqiptarë si mall belik, ajo duhet vlerësuar ligjërisht në një mënyrë krejt të veçantë - si një mall strategjik. Procedimi, gjykimi, dhe dënimi i atyre që e vjedhin këtë mall nuk duhet të bëhet njësoj si, fjala vjen, për ata që vjedhin pesë kile oriz. Përkundrazi, vjedhësit e energjisë duhet të konsiderohen si vjedhësit e thesarit të shtetit. Dhe që të arrihet kjo, duhet një vullnet i fortë politik si i maxhorancës, ashtu edhe i opozitës. Të dyja palët duhet t'ia bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se motoja që Bojaxhiu prezantoi kur u emërua në detyrën aktuale - "Pagoje që ta KESH!" - është edhe motoja e gjithë klasës sonë politike. Sa për shqiptarët që realisht nuk janë në gjendje ta paguajnë energjinë, zgjidhje ekzistojnë - subvencionimet nuk janë një rrugë e pashkelur nga qeveritë, si ato shqiptare, ashtu edhe të huaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›