E Diel, 1 Nëntor 2026

Bufi: Moisiu të respektojë Kushtetutën

29/03/2005  Socialistët thonë se Presidenti duhet të caktojë datën e zgjedhjeve në përputhje me të gjitha detyrimet

Socialistët nuk kanë vonuar t'i kthejnë përgjigje Presidentit të Republikës mbi qëndrimin që ai dha dy ditë më parë mbi datën e votimeve. PS i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të respektojë Kushtetutën për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Kryetari i komisionit të problematikave elektorale në PS-së, Ylli Bufi, ka ritheksuar pozicionin e partisë së tij për të zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme më 3 korrik, datë e cila, sipas tij, respekton Kushtetutën. Dy ditë më parë, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i është drejtuar forcave politike në vend dhe veçanërisht politikanëve, që janë në pushtet që të heqin dorë nga presioni ndaj institucioneve të shtetit.

Socialistët

Pavarësisht deklaratës së Moisiut, socialistët theksojnë se nuk po bëjnë asnjë presion për caktimin e datës së zgjedhjeve. Sipas Ylli Bufit, "edhe në rastin kur partitë politike mblidhen, konsultohen dhe japin rekomandime, përsëri aktin e fundit e kryen Presidenti i Republikës, sepse është kompetencë e tij kushtetuese përcaktimi i datës së zgjedhjeve. Ajo nuk përcaktohet nga partitë". Gjithashtu, deputeti socialist i ka kujtuar Moisiut që të kryejë funksionet e tij kushtetuese. "Ne, si forcë politike, si mazhorancë, i kërkojmë dhe besoj që e kërkojnë të gjithë që Presidenti të kryejë funksionet e tij kushtetuese. Domethënë të caktojë datën e zgjedhjeve në përputhje me të gjitha detyrimet kushtetuese". Sipas Bufit, qofshin partitë në konsensus apo jo, është ai që vendos datën e zgjedhjeve". Në këtë mënyrë, çështja e caktimit të datës së votimeve, e cila pa frikë mund të konisderohej teknike, po shndërrohet çdo ditë dhe më shumë në një çështje që po i vishen ngjyrimet politike.

Përplasja

Afrimi i datës së zgjedhjeve, sipas kërkesës së forcave opozitare, apo mbajtja e tyre në afatet që përcakton Kushtetuta janë tashmë dy prej opsioneve, që duhet të marrin një përgjigje nga Kreu i Shtetit, deri më 18 qershor. Socialistët e kanë cilësuar si të pamundur realizimin e një konsensusi mes forcave politike për të afruar datën e zgjedhjeve, pasi për ta kjo është antikushtetuese. Gjithsesi, dy ditë më parë Moisiu ka deklaruar me tone të ashpra, duke lënë të nënkuptuar se mund të marrë dhe një vendim për afrimin e zgjedhjeve. "Kryetari i shtetit e di detyrën e tij, e njeh Kushtetutën dhe ligjet. Ky shtet, ky popull, ka institucionet e tij dhe secili të mbajë mbi shpatulla detyrën e tij", tha Moisiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›