E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu-Papulias rikthejnë marrëdhëniet e mira

29/03/2005  Presidenti shqiptar fton për një vizitë në qytetin e lashtë të Gjirokastrës kreun e sapozgjedhur të Greqisë

"Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë faktor që afron më shumë dy palët"

Pas takimit të 6 muajve më parë, mes Presidentit grek Stefanopulos dhe atij shqiptar, ku u shfaq dukshëm debati mbi çështjet e rajonit dhe mbi tokat e popullsisë çame, dje, në Janinë të Greqisë, është zhvilluar takimi i radhës mes dy krerëve të shteteve. Këtë herë, Presidenti i ri i Greqisë, Karolos Papulias dhe Alfred Moisiu i janë shmangur debateve në media, duke u shprehur për marrëdhënie të mira dhe për zgjidhje sa më të pranueshme nga palët për çështjet që shqetësojnë rajonin. Mbi të gjitha, kreu i shtetit shqiptar ka falënderuar homologun e tij grek, për qëndrimin që ky shtet po mban ndaj emigrantëve tanë. Takimi mes dy presidentëve u zhvillua në Janinë, në hotel Epirius Palas. Presidenti Moisiu shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin dhe uroi Papulias për zgjedhjen në postin e Presidentit të Greqisë.

Emigrantët

Gjatë bisedës, u evidentua fakti i pranisë së një numri shumë të madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe u shpreh mirënjohja për shtetin grek, për çfarë po bën për ta. "Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri, janë një faktor që afron më shumë dhe kontribuon në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe", u tha në takim. Moisiu shprehu bindjen se Papulias do të japë kontributin e tij si një politikan shumë i njohur edhe më parë për angazhimin e tij në marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Gjatë takimit, u vlerësuan niveli i marrëdhënieve dypalëshe si shumë të mira, si marrëdhënie partneriteti me interesa të gjera. “Takimi ynë si dhe takimi i sotëm i sesionit të 9-të të komisionit të përbashkët ekonomik greko-shqiptar, është një shprehje e angazhimit dypalësh për konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona”, tha Presidenti Moisiu.

Rajoni

Gjatë bashkëbisedimit, u diskutua edhe për bashkëpunimin në rajon. Nisur nga niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve, Presidenti Papulias tha se "realiteti i marrëdhënieve tona mund t’i kontribuojë përballimit të problemeve të rajonit". Ndërsa Moisiu vuri në dukje se Shqipëria i kushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal. “Kemi ndërtuar një bashkëpunim efektiv me vendet e rajonit, sepse jemi të bindur se kjo është rruga më e mirë si për rajonin, ashtu dhe për integrimin tonë të përbashkët evropian", tha kreu i shtetit shqiptar. Moisiu dhe Papulias ranë dakord të takohen në Gjirokastër, ose Sarandë, në të ardhmen. Takimi mes Papulias dhe Moisiut vjen vetëm pas 6 muajsh nga përplasja me Presidentin Stefanopulos, i cili është zëvendësuar në postin e Presidentit.

Stefanopulos

Lidhur me çështjen e pronave të çamëve, Presidenti Stefanopulos tha se ky problem nuk ekziston. “Nuk e di nëse ekziston nevoja e zgjidhjes së problemit çam; unë personalisht këtë problem e konsideroj të mbyllur dhe nuk ekziston më, ndaj dhe s’ka nevojë më të zgjidhet”. Për zgjidhjen e problemit të Kosovës, Presidenti Stefanopulos theksoi se politika greke, për sa i përket problemit të Kosovës, inkuadrohet në politikën e përgjithshme evropiane për këtë problem. Sipas tij, vazhdon të jetë në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe se ka vlerë aksioma “standardet para statusit” për Kosovën

Moisiu

Unë mendoj se ndjenjat dyshuese nuk kanë lindur kohët e fundit dhe nuk janë vetëm të fundit. Ato kanë origjinë më të hershme; dëshiroj të them se Greqia dhe populli grek janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe Shqipëria dhe populli shqiptar synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian; këto ndjenja dhe këto veprime janë të huaja sipas rregullave që ka Bashkimi Evropian. Unë nuk mund të ngatërroj veprimet e një, dy apo pesë grekërve me ndjenjat e popullit grek; po ashtu dhe popullit shqiptar. Ne jemi dy popujt më të lashtë në Ballkan

Kosova

Mendimi im, të cilin e kam shfaqur edhe në Nju-Jork, në OKB dhe Sekretarit të Përgjithshëm, zotit Kofi Anan, është se sa më shumë të zgjatet çështja e Kosovës, në kuptimin e zgjidhjes së problemit, aq më shumë hapësirë e rrezikshme mund t’u lihet ekstremistëve të të dy palëve, qofshin serbë, qofshin shqiptarë. Të ardhmen e Kosovës, sigurisht, duhet ta vendosin banorët e saj , kur them banorët kam parasysh shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, me OKB. Unë shpresoj që në zgjedhjet e 28 tetorit të bëhet një hap i ri cilësor drejt demokratizimit të Kosovës.

Nano

Diskutuam dhe azhornuam gjithë informacionin për sektorët prioritarë të shkëmbimeve dhe të partneritetit strategjik, që ekziston midis Shqipërisë dhe Greqisë, si element jetik për procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Kuptuam se çfarë detyrash të reja duhet t’u ngarkojmë administratave përkatëse, ekspertëve dhe çfarë mesazhesh integrimi, bashkëjetese dhe ngritje të garancive për të drejtat e njeriut, të minoriteteve ne fushën e lirisë dhe besimit, të pronës, të të drejtave të arsimimit etj., si dhe të komunikimit mediatik në gjuhën amtare, duhet t'u ofrojmë shtetasve tanë kudo që jetojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›