E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Parlamentit të nisë nga Senati i vitit 1920

29/03/2005  Parlamentarët përkujtojnë 85-vjetorin e mbledhjes së parë

Në përkujtimin e 85-vjetorit të fillimit të punimeve të parlamentit të parë shqiptar, deputetë, historianë dhe intelektualë të njohur kanë kërkuar që në histori të përcaktohet se parlamentarët e parë janë në vitin 1920 dhe jo në vitin 1944. Për këtë pikë është theksuar se e rëndësishme është që në histori të mos ketë paragjykime apo interpretime të qëllimshme. Në fjalën e tij, kryetari aktual i parlamentit, Servet Pëllumbi, tha se "historia parlamentare shqiptare të jetë objekt i vlerësimeve realiste të historianëve, larg pasioneve dhe interesave politike të ditës". Pëllumbi paraqiti shkurtimisht fillimet e jetës parlamentare shqiptare dhe vlerësoi rolin e institucionit ligjvënës për vendosjen e themeleve të shtetit të së drejtës. Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme politike, Kryetari i Kuvendit u shpreh se "është në dorën e zgjedhësve shqiptarë t'i japin vendit një legjislaturë të re, me një shkallë të lartë pjekurie politike dhe përgjegjësie përfaqësimi". Në të njëjtin qëndrim ka qenë dhe deputeti më i vjetër i opozitës shqiptare, Pjetër Arbnori. Ai ka theksuar se në tekstet e historisë shqiptare mbi parlamentin nuk duhet të ketë interpretime subjektive, por duhet që të pasqyrohen realitetet dhe zvillimet sa më konkrete. Gjithashtu, Arbnori ka vlerësuar se historia e parlametit të Shqipërisë është dhe më e vjetër se viti 1944.

Shaban Sinani

Drejtori i Arkivave të Shtetit, Shaban Sinani, ka vlerësuar se në tekstet e historisë aktualisht legjislaturat e parlamentit nisin nga viti 1944, ndërsa dihet që dhe më parë në Shqipëri ka funksionuar parlamenti i titulluar ndryshe si senat. Ndaj, Sinani tha se është e nevojshme që dhe regjistrimi i ligjeve të miratuar të nisë nga viti 1920, kur ka filluar punën Senati i parë shqiptar, i deklaruar nga Kongresi i Lushnjës. "Ka diskutime të nevojshme që janë objekt për historinë për të bërë ndryshimet e nevojshme për emërtimin e legjislaturave. Nuk mbahet në konsideratë që ka pasur punime dhe para këtij viti", tha Sinani. Në këtë mënyrë, në 85-vjetorin e mbledhjes së parë të parlamentarëve shqiptarë është kërkuar që në tekstet e historisë së Shqipërisë të shënohet që Kuvendi i parë është mbledhur në vitin 1920. Në atë kohë, Shqipëria kishte 100 senatorë, të cilët aktualisht janë pasuar nga 140 deputetë. Gjithsesi, shkrimi i fakteve në mënyrën më objektive është cilësuar si çështja më thelbësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›