E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati listat e trafikantëve që do t’u sekuestrohen pasuritë

29/03/2005  Këto ditë fillon evidentimi i pronave të tyre, që do të

administrohen nga shteti

Hartohen listat e personave nën hetim për trafiqe ndërkombëtare, pasuritë e të cilëve do të verifikohen nga struktura e re e organit të akuzës, e ngritur afro dy javë më parë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Këto ditë pritet të fillojë evidentimi i të gjitha pasurive të këtyre personave, të cilat do të sekuestrohen përkohësisht deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor ndaj tyre. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se, tashmë struktura është formuar me të gjitha segmentet e saj.

Listat

Në listat e personave të cilëve do t’u sekuestrohen pasuritë, janë të gjithë ata, ndaj të cilëve Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për trafiqe të llojeve të ndryshme. Nga burimet mësohet se bëhet fjalë për pasuritë e personave nën hetim për trafik droge, armësh dhe të qenieve njerëzore. Gjithashtu, përfshihen edhe ata persona që hetohen si anëtarë të bandave të organizuara kriminale dhe organizatorë të këtyre grupeve. Stafi i kësaj strukture të re të prokurorisë do të shqyrtojë çdo pasuri që rezulton në emër të të akuzuarve si dhe të familjarëve të tyre. Do të përcaktohet pasuria e vendosur gjatë periudhës që ndaj tyre ka filluar hetimi. Si dhe do të vlerësohet mundësia e vënies së kësaj pasurie me të ardhurat e deklaruara, që përfiton në vit familja e të pandehurve për trafiqe. Burimet thonë se këto të ardhura do të ballafaqohen me shpenzimet e tyre si dhe pasuritë e grumbulluara. Por burimet nuk bëjnë të ditur shifrën e personave të listuar dhe vendbanimet e tyre për shkak të sekretit hetimor. Kjo, pasi mendohet se ata mund të fshehin, tjetërsojnë apo shesin pasuritë tyre, theksojnë burimet.

Sekuestrimet

Kjo strukturë e re e Prokurorisë do të ketë si qëllim evidentimin dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive që rezultojnë ta kenë prejardhjen nga krimi. Burimet thonë se kjo strukturë e organit të hetimit do të evidentojë çdo investim të bërë nga personat që procedohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këto aktivitete do të kenë një sekuestrim paraprak, ndërsa do të vazhdojnë punën. Me administrimin e tyre do të merren specialistë të Ministrisë së Financave. Këta të fundit do të administrojnë këto aktivitete deri në përfundim të proceseve gjyqësore ndaj të akuzuarve. Nëse këta të fundit shpallen fajtorë, atëherë do të kryhet konfiskimi i këtyre pasurive, të cilat do të kalojnë në favor të shtetit. Ndërsa, nëse ata shpallen të pafajshëm, atëherë do t’u rikthehen aktivitetet e tyre së bashku me fitimet e mbledhura gjatë kohës së sekuestrimit paraprak të pasurive. Burimet sqarojnë se gjatë kësaj kohe, kur këto aktivitete do të administrohen nga specialistët e Ministrisë së Financave, do të vërehet edhe nëse ka patur evazion fiskal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›