E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Rinor monitoron zgjedhjet

29/03/2005  Këshilli Rinor Shqiptar ka përgatitur strategjinë për monitorimin e zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti. Në draft theksohet nëvoja për të sensibilizuar qytetarët shqiptarë, që të jenë pjesëtarë të procesit. Nën moton "të votosh apo të mos votosh" KRSH-ja do të zhvillojë fushatën, e cila do të përfshijë të gjithë skajet e vendit. Platforma për të rritur pjesëmarrjen në votime si dhe monitorimi i zgjedhjeve në 100 për qind të zonave elektorale, tashmë është cilësuar si një sfidë dhe për kryetaren e KRSH-së, Alketa Qëndro. Kjo organizatë do të ketë 5 000 vëzhguesit e saj në të gjithë vendin për të monitoruar procesin zgjedhor. Sipas Qëndros, "KRSH-ja do të jetë në linjën e parë të garantimit të votës së lirë dhe legjitimitetit të pushtetit dhe të qeverisjes". Kjo organizatë pas zgjedhjeve do të përgatisë një raport mbi zhvillimet gjatë zgjedhjeve. Aktualisht KRSH-ja ka përfunduar procesin e regjistrimit të 1000 vëzhguesve të parë, të cilët janë aktivistë në organizata rinore të ndryshme. Ndërkohë, më 25 prill, do të bëhen publikë 4 000 vëzhguesit e tjerë. Lista prej 5 000 monitoruesish të kësaj organizate do t'i paraqitet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili bën akreditimin si vëzhgues në procesin zgjedhor. KRSH-ja deklaron se do të zgjedhë ata të rinj, të cilët nuk janë pjesëtarë të asnjë force politike, pasi angazhimi i tyre do të komprometonte raportin përfundimtar. Puna e kësaj organizate nuk do të jetë e fiksuar vetëm në procesin zgjedhor, por do të fokusohet në monitorimin e abuzimeve që bëjnë partitë politike me fëmijë nën moshën 14 vjeç, duke i përdorur në fushatat elektorale. Risia e KRSH-së në këto zgjedhje është që do të bëjë të mundur një raportim direkt, nëpërmjet qendrave elektronike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›