E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me 4 kg drogë, dërgohet në burg pa afat

29/03/2005  TIRANË – "Nuk kam dijeni për drogën që ka qenë në makinën time. Unë jam dakord që është gjetur, por dikush e ka futur atë duke më ngritur kurth". Kështu mësohet të jetë shprehur dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda, i pandehuri Bledar Krasniqi, nga fshati Syzez i Beratit. Edhe pse ka kundërshtuar veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, i pandehuri Krasniqi, me kërkesë të prokurores Vjola Stoja, ka marrë masën e arrestit burg pa afat. Avokati mbrojtës i të pandehurit kërkoi nga gjykata lënien e klientit të tij në burg për një afat një mujor, deri sa të mund të bëhej akti i ekspertizës. Me këtë kërkesë, avokati pretendonte të nxirrte gjurmët e gishtave që mund të ndodheshin në pako. Por Prokuroria në dosjen e dorëzuar para gjykatës, vërtetonte plotësisht se autori i veprës penale është i pandehuri Bledar Krasniqi. Ky i fundit u kap nga policia të premten në mesditë, në mjediset e Portit të Durrësit. Krasniqi me makinën e tij po bëhej gati të kalonte kufirin drejt Italisë. Ka qenë një kontroll i rastësishëm i forcave të antidrogës, që zbuloi sasinë prej 4 kg kokaine të fshehur midis rrotave të makinës dhe serbatorit të saj. I pandehuri, sipas burimeve nga Prokuroria, prej disa vitesh punonte në Itali. Ishte me dokumente të rregullta dhe kohët e fundit kishte hyrë shpesh në port. Sasia e drogës së kapur nga policia nuk dihet se ku e kishte destinacionin e saj. Edhe para gjykatës, i pandehuri nuk ka treguar emra të personave me të cilët mund të ketë lidhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›