E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bufi: Nuk tërhiqemi nga zona e Sarandës

18/02/2005  Ndarja e zonave elektorale të vendit duhet të përfundojë brenda javës së parë të muajit mars. Sipas përfaqësuesit të Partisë Socialiste, në negociatat me OSBE-në për hartimin e hartës elektorale, Ylli Bufi, forca e tij politike nuk do të tërhiqet nga qëndrimi për ndarjen e zonave në Qarkun e Sarandës. Bufi tha se "PS-ja ka bërë propozime të reja mbi variantet ekzistuese, në mënyrë që ato të bëhen të pranueshme. Duhet të ishte mirë që forcat të arrinin një konsensus". Ndërkohë që, nga ana tjetër, Bufi thekson se "procesi për ndarjen nuk ka ngecur, mbi variantet ekzistuese, po bëhen propozime të caktuara që ato të jenë të pranueshme nga të gjithë dhe për këtë po punohet. Variantet nuk janë pranuar nga të gjithë. Por, ne po punojmë për këtë gjë, që do të thotë se ne po përpiqemi të arrijmë një konfigurim të ndarjes zonale në të gjithë vendin, që të jetë e pranueshme nga të dyja palët". Në ditët në vazhdim priten të zhvillohen sërish negociata mes përfaqësuesve të OSBE-së dhe atyre të forcave politike në vend. Gjetja e një gjuhe të përbashkët për hartën elektorale i intereson më shumë PS-së, e cila, si parti qeverisëse, do të përballet më 24 shkurt me task forcën e BE-së dhe natyrisht puna për reformën elektorale do të jetë kryefjala e negociatave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›