E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dobjani merr mandatin e dytë në Avokatin e Popullit

18/02/2005  Ermir Dobjani ka marrë dje besimin e deputetëve për një mandat të dytë në krye të Avokatit të Popullit. Me 99 vota pro dhe me 14 kundër, përfaqësuesit e socialistëve dhe ata demokratë kanë dhënë mbështetjen e tyre për kandidaturën e vetme të propozuar në seancë. Fillimisht, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Elmaz Sherifi, ka theksuar se për postin e Avokatit të Popullit janë paraqitur dy kandidatura, ajo e Besnik Dervishit dhe e Ermir Dobjanit. Dervishi ka mbajtur më parë postin e ministrit të Turizmit dhe më pas atë të Prefektit të Tiranës. Ndërsa Dobjani është prezantuar si Avokati aktual i Popullit. Megjithëse vetë Dervishi ka deklaruar tërheqjen nga kandidatura që dy javë më parë, kryetari i Komisionit të Ligjeve është shprehur se kjo kandidaturë është për t'u votuar prej deputetëve. Por, në të kundërt me këtë, Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, është shprehur se Dervishi ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga kandidimi, ndaj në seancë do të votohej vetëm kandidatura e Ermir Dobjanit. Pas kësaj, me votim të fshehtë, Dobjani ka marrë mbështetjen e 99 votave pro dhe 14 kundër. Kjo ka lënë të nënkuptuar dhe mbështetjen nga të gjitha forcat politike dhe kundërshtimin e disa deputetëve. Gjithsesi votimi pro Dobjanit tashmë ka qetësuar dhe administratën e Avokatit të Popullit, e shqetësuar për ndryshime, në rast se do të ndërrohej kreu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›