E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ: Kutitë e votimit të përdorura në Irak do të vlejnë dhe për Shqipërinë

18/02/2005  Komisioni i Zgjedhjeve miraton procedurat e para për administrimin e zgjedhjeve parlamentare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të miratoje modelin e kutisë së votimit për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, të prezantuar nga firma që i modeloi në votimet e Irakut. KQZ vendosi të përdorë modelin e kutisë së votimit të ofruar nga kompania e specializuar kanadeze CODE Incorporated, pasi ky model plotëson parametrat e sigurisë dhe karakteristikat teknike të nevojshme për procesin zgjedhor. Modeli i përzgjedhur i kutisë së votimit mori edhe pëlqimin e përfaqësuesve të partive politike në KQZ. Gjatë diskutimeve, përfaqësuesi i PD-së, Ferdinant Poni, ka kërkuar që hapësira, ku hidhen fletët e votimit, të jetë më e vogël nga modeli i paraqitur prej firmës fituese. Ky sugjerim do t'i jepet firmës, e cila do të marrë masat e kërkuara. Sasia e kutive të votimit, që do të porositet menjëherë, është 10.500 copë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që boja matrikuluese e zgjedhësve të jetë e padukshme dhe e kontrollueshme me detektor ultraviolet, duke ndjekur të njëjtën përvojë të zgjedhjeve të fundit vendore. KQZ gjithashtu përcaktoi edhe modelin e dhomës së fshehtësisë, që do të përdoret ditën e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin. Në këtë proces, si përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës kanë dhënë pëlqimin e tyre. Madje, dhe vërejtjet e secilës palë nuk janë komentuar politikisht. Ky është vendimi i parë për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›