E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet një takim mes Xhanit dhe Laçit për Partizanin e ri

Nga ILIR CARA

Mendohet se brenda kësaj jave dy aksionarët do të takohen, ku si fillim kërkohet ngrirja e një fondi për të përballuar me sukses sezonin e ri

Nga e hëna e 2 korrikut nga Kodrat e Liqenit Artificial nisi punë Partizani, i cili u prezantua nga aksionari i të kuqve, Paro Laçi, ku detyra e trajnerit iu ngarkua Nikolin Çoçllit.

Ky Partizan nisi nën iniciativën e Paro Laçit, i cili të hënën për mediat u shpreh se ka plan afatshkurtër për këtë sezon dhe afatgjatë, gjë të cilën do tia paraqesë edhe ortakut të tij, Albert Xhani.

Laçi e pohoi se është në bisedime me ortakun e tij, kjo nën ndërmjetësimin e Roland Micit, përfaqësuesit ligjor të Xhanit. Nga burime të ndryshme mësohet se ky takim mund të ndodhë brenda kësaj jave, me shpresën se do të gjendet gjuha e përbashkët, që Partizani të mbetet një dhe si i tillë të luftojë për kthimin në superligë.

Mësohet se Paro Laçi është i gatshëm të derdh pjesën e tij që i takon në shoqëri për të përballuar këtë sezon, por i afron edhe alternativa ortakut të tij, në mënyrë që të ngrihet një fond, me anë të cilit do të përballohet sezoni i ri.

Në kuadrin e fjalëve, thuhet se ky fond financiar do të jetë mbi 400 milionë lekë të vjetra, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet realizimi i objektivit. Laçi ka pohuar se në planin e tij gjithçka është e detajuar dhe shpreson se do të ketë edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ortakut të tij, Albert Xhani, për ringritjen e Partizanit.

Laçi pohoi se është për bashkim, bashkëpunim, kjo vetëm në të mirë të Partizanit. Dihet që te Partizani fjalët e mira nuk kanë munguar në këto katër vitet e fundit, kështu që ekipi mund të bëhet vetëm nëse do të ketë plan konkret dhe garanci financiare.

Nëse arrihet që në bankë të ngurtësohet shuma e pretenduar (mbi 400 milionë lekë ), atëherë mund të themi se futbollistët kanë garanci, që ti kthehen sërish uniformës së kuqe. Administratori i fundit të kuqve, Gjergji Thaka, pohoi se nëse ortakët ulen dhe gjejnë gjuhën e bashkëpunimit, atëherë mund të thuhet se Partizani do të behët realisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›